Aktualitet

Gjyqi ndaj Fredi Belerit, zgjidhet treshja e gjyqtarëve që do të hetojë çështjen e tij!

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka përcaktuar trupën gjykuese, që do të marrë në shqyrtim ankimimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshit.

Sipas shortit të datës 09.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarja Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (Anëtar), dhe Iliriana Olldashi (Anëtare).

Ende nuk është vendosur data e zhvillimit të seancës, ndërsa Beleri u dënua në Shkallën e Parë me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje

 Njoftimi i GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 08.05.2024, regjistroi çështjen penale nr. 32 akti, mbi ankimin e ankuesve/të pandehur Dh.A.B. dhe P.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka deklaruar fajtor të pandehurit për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 të Kodit Penal.

Sipas shortit të datës 09.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarja Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (Anëtar), dhe Iliriana Olldashi (Anëtare).

Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garoi për mandatin e tij të katërt në zgjedhjet e 14 majit 2023. Por çështja e tij, u bë shkak për përplasjen mes dy kryeministrave, atë grek Mitsotakis dhe homologun shqiptar, Edi Rama.

Greqia, e lidhi qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes Beleri me pozitën e saj si kandidate për integrimin në BE, duke i quajtur veprime që nuk përputhen me procesin e antarësimit në BE. Deklaratat “kërcënuese” u përshkallëzuan me deklaratën e Mitsotakis në Bruksel në korrik, ku e përshkroi çështjen Beleri si “element të vlerësimit grek të rrugës europiane të Shqipërisë”. Nga ana e tij kryeministri Rama e ka injoruar shqetësimin e Greqisë, duke e qujatur një çështje në duart e drejtësisë me të cilën qeveria s’ka lidhje.