Bota Celebrities Sport

Në maratonën e Jeruzalemit ku morën pjesë 25 000 atletë, shpallet fituese Valentina Veretska nga Ukraina!

Pavarësisht gjithçkaje, ata po luftojnë edhe pse jo në vendin e tyre në Ukrainë. Shumë artistë dhe sportistë kanë marrë pjesë në evente të shumta në botë dhe me fitoret e tyre i kanë dëshmuar të gjithëve se kush janë ukrainasit. Së fundmi Valentina Veretska, ukrainsja që së bashku me të bijën u larguan nga qyteti Mikolayev, fitoi maratonën e Jeruzalemit, ku morën pjesë 25 000 atletë, 11 000 prej të cilëve nga jashtë.

Veretska, e cila la bashkëshortin në Ukrainë për të luftuar kundër trupave ruse, e përfundoi maratonën për 2 orë, 45 minuta dhe 54 sekonda. Pas mbërritjes ajo u pa me dy flamurë, atë izraelit dhe ukrainas. Ajo u shpreh se:

E dija që më duhej të jepja gjithçka, që zëri im të dëgjohej. Këtë fitore ia kushtoj popullit tim.

Ndërkohë që një zëdhënës i bashkisë së Jerzalemit u shpreh se:

Bashkë me të morën pjesë edhe 40 refugjatë dhe emigrantë ukrainas.

Kryebashkiaku i Jerusalemit, Moshe Luani mirëpriti mundësinë që qyteti të mund të priste një ditë negociatat e paqes mes rusëve dhe ukrainasve. Edhe pse akoma nuk është se po shikohet një mundësi e tillë.

Kujtojmë gjithashtu se ukrainsja Yaroslava Mahuchikh fitoi medaljen e artë në kërcim për së larti në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Beograd të Serbisë. Ajo u detyrua të linte shtëpinë e saj pas pushtimit rus të Ukrainës dhe tha se po luftonte për vendin e saj, pasi fitoi medaljen e artë në kërcimin së larti në Kampionatin botëror të atletikës në sallë në Beograd. Kjo atlete 20-vjeçare, e cila është kampione aktuale evropiane në kërcim së larti dhe fituese e medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike të Tokios, i kaloi ditët duke u fshehur në bodrum, përpara se të arrinte të udhëtonte me makinë deri në Serbi, duke përshkuar gati se 2000 kilometra për tre ditë, raporton Reuters.