Bota

Në televizionet afgane rikthehen prezantueset e gazetaret e mbuluara!

Në ekranet e televizioneve afgane, prezantueset dhe gazetaret sot u shfaqën me fytyra të mbuluara, pas urdhrit të talebanëve për një paraqitje të tillë. Më herët gjatë këtij muaji, lideri suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzada, firmosi një dekret që urdhëron gratë të mbulojnë plotësisht fytyrën në publik, duke e përmendur burkan si “veshje ideale”.

Një ditë më parë, Ministria për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit dha të njëjtin urdhër për gratë që janë figura publike në televizione. Fillimisht, ato e sfiduan vendimin, por refuzimi nuk zgjati shumë e sot u panë me hixhab ndërsa iu duken vetëm sytë. Prezantuesja e televizionit TOLO News, Sonia Niazi foli për agjencinë e lajmeve AFP.

Ne rezistuam dhe jemi kundër vendosjes së mbulesës, por TOLO News u përball me presion ndaj u detyruam ta vendosim.

Një zëdhënës i ministrisë deklaroi se autoritetet nuk janë kundër prezantueseve gra, ndonëse faktet dëshmojnë për një numër të madh kufizimesh në rreth një vit.

Që nga koha kur u rikthyen në pushtet, në gusht të vitit të kaluar, talebanët kanë nxjerrë një numër dekretesh që kufizojnë të drejtat e grave dhe vajzave në Afganistan. Ndër të tjera, atyre u është ndaluar dalja në rrugë nëse nuk shoqërohen nga ndonjë familjar apo i afërm që duhet të jetë burrë ose djalë, si dhe pengohen për të ndjekur arsimin e mesëm.

Po ashtu, shumica e grave humbën vendet e punës në institucionet qeveritare të Afganistanit kur talebanët morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar, me largimin e amerikanëve. Liderët talibanë premtojnë se gratë do të lejohen të kthehen në punë kur të krijohen ato që i konsiderojnë “kushtet e duhura”, siç është ndarja e hapësirave brenda zyrës.

Tashmë që talebanët drejtojnë Afganistanin, zyrtarë të Perëndimit dhe aktivistë, bashkë me disa figura afgane, po shprehin vazhdimisht shqetësime për të drejtat e grave nën rregullat ekstreme konservatore, të imponuara nga drejtues talebanë.