Aktualitet

Nënshkruhet Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Ukrainë/Zelenskyy i akordon Ramës Urdhrin “Yaroslav i Urti”

Në Tiranë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy nënshkruan Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë e Ukrainës, që synon të konsolidojë miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit e forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

 

Përpara se të hidhnin firmat, presidenti i Ukrainës i dorëzoi kryeministrit Rama “Urdhrin e Princit Jaroslav i Urti”:

Për kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë.

Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt të vitit 2022, Shqipëria u rreshtua përkrah Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të Ukrainës. Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe të qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për vitin 2022, nga 32 mijë ukrainas që hynë në Shqipëri pas nisjes së luftës, rreth 2.500 qëndruan edhe përtej 2022-shit. Shqipëria synon të hapë një ambasadë në kryeqytetin ukrainas, Kiev dhe pas takimit me homologun Dmytro Kuleba, kryediplomati Igli Hasani shfaqi shpresën që kjo të mund të realizohet brenda vitit.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë, në shtator të vitit 2020. Ambasador është Volodimir Shkurov, ende në detyrë. Në rajonin e Odesës në Ukrainë jetojnë rreth 3.500 shqiptarë.

Presidenti Zelenskyy ndodhet në vizitën e tij të parë në Shqipëri dhe do të marrë pjesë në Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore” që sot nis punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e liderëve nga Europa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor.

Samiti zhvillohet si një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive të vendeve kundër agresionit rus, ku do të diskutohet si mund të punojnë së bashku e të ofrojnë mbështetjen për Ukrainën, si dhe të kontribuojnë në sigurinë e stabilitetin e rajonit tonë dhe Europës.

Këtë samit, kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar kohë më parë gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, në Shkup të Maqedonisë Veriut. Rama pati thënë se do të flitej për çështje të sigurisë dhe mbështetjen për Ukrainën, në luftën kundër agresionit rus.