Aktualitet Politikë

Nesër në 16:00 mblidhet Këshilli i Mandateve për kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt

Nesër në orën 16:00 do të mblidhet këshilli i mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmtajt.

‘Mbledhja e Këshillit të Mandateve do zhvillohet me dyer të mbyllura për ruajtjen e sekretit hetimor’- thuhet në urdhrin e Lindita Nikollës.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, i kërkoi më herët Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit socialist, Arben Ahmetaj. Kërkesa është firmosur nga kreu i SPAK, Altin Dumani të premten e kaluar, konkretisht më 7 korrik 2023, ndërsa lajmi u mësua sot, (10 korrik) tre ditë më pas. Me anë të kësaj kërkesë, SPAK kërkon leje nga Kuvendi jo vetëm dhënien e masës së sigurisë për Arben Ahmetajn, por edhe për t’i ushtruar atij një kontroll në banesën e tij personale apo tabulatet telefonike. Ai është zyrtari më i lartë që përballet me kërkesën për arrestim në tri dekadat e fundit në Shqipëri.

Arben Ahmetaj po hetohet për tre akuza për veprat penale “korrupsion pasiv” në 6 raste, “pastrim parash”, “deklarimi rremë dhe fshehje pasurie”. Akuzat kanë lidhje me hetimet që janë nisur për inceneratorin e Elbasanit. Gjatë hetimeve pas kallëzimeve të bëra në adresë të Ahmetajt se ka përfituar dhurata e udhëtime të paguara nga administratorët dolën disa të dhëna që e implikojnë atë në këto tre akuza që ka ngritur SPAK, për të cilat kërkon edhe arrestimin. Në fund të vitit të kaluar SPAK dërgoi në gjyq dosjet e për incineratorin e Fierit dhe Elbasanit me grupet e të akuzuarve të parë, duke veçuar e mbajtur në hetim fashikullin për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.

Përmes kësaj kërkese proceduriale do të jetë Kuvendi që do t’i hapë rrugë arrestimit të Ahmetajt. Lindita Nikolla ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Mandateve ditën e nesërme në orën 16:00 dhe që do të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK. Më pas Këshilli i Mandateve do të përgatisë një raport dhe duhet t’i kalojë Kuvendit në seancë plenare që të merret një vendim brenda dy javëve për mandatin e Ahmetajt. E gjithë kjo procedurë do të ndiqet nëse Arben Ahmetaj nuk do të japë dorëheqjen nga mandati, njëjtë si Alqi Bllako.

Ahmetaj në pyetje si person në hetim
Më 22 qershor 2023 Arben Ahmetaj u thirr për herë të parë në SPAK dhe u pyet për rreth 6 orë si person nën hetim. Kur Ahmetaj la ambientet e SPAK, por për gazetarët refuzoi të japë detaje të shumta, duke theksuar se vetëm kishte ardhur për të sqaruar pozicionin e tij.

Vilat e sekuestruara
Në prill të 2023 Gjykata e Posaçme e Apelit, ka refuzuar që të lirojë nga masa e sekuestros preventive një vilë në Hamallaj e një në Palasë, të cilat janë bllokuar për llogari të hetimit ndaj ish-zv/kryeministrit Ahmetaj. Pas dyshimeve për “fshehje të pasurisë”, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro dy vila në bregdet, një në Palasë dhe një në Hamallaj. E Palasës është pjesë e një kompleksi rezidencial dhe dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e ish-ministrit të Financave, Albina Mençka, por e poseduar me emrin e shoqes së kësaj të fundit Elda Dine. Vetë ish-bashkëshortja e zyrtarit të lartë ka mohuar të ketë lidhje me këtë objekt. Ndërsa vila në Hamallaj i përket Arjola Hoxhës, bashkëjetueses aktuale të ish-zv.kryeministrit, Ahmetaj.

Veprat penale për të cilat akuzohet
1-“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,
2-“Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;
3-“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.

Sa vite burg rrezikon?
Ish-ministri Ahmetaj akuzohet për refuzim dhe mosdeklarim pasurie vepër penale për të cilën nëse do të gjendet fajtor rrezikon të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ish-ministri akuzohet edhe për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe nëse do të shpallej fajtor do të rrezikonte deri në 12 vite burg. Ahmetaj akuzohet edhe për pastrim të parave e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal vepër penale për të cilën Ahmetaj rrezikon deri në 15 vite burg.