Aktualitet

Nga 40 mijë, kufiri i patatueshëm i pagave bëhet 50 mijë lekë!

Vitin që vjen, kufiri i patatueshëm i pagave do të bëhet 50 mijë nga 40 mijë lekë që është aktualisht. Kjo do të thotë se personat me paga bruto 50 mijë lekë në muaj do të paguajnë 0 tatim. Ky kufi është 40 mijë lekë. Ministria e Financave përllogarit se rritja e kufirit të patatueshëm të pagës nga 40 mijë në 50 mijë lekë do të reduktojë të ardhurat në buxhet për rreth 1 miliardë lekë  në vit, por ndërkohë do të rrisë të ardhurat e punëmarrësve me paga deri në 50 mijë lekë në muaj.

Nga kjo masë përfitojnë mbi 70 mijë punëmarrës të cilët janë në grupin e pagave nga 40 në 50 mijë lekë në muaj.

Si pjesë e ndryshimeve të ligjit të tatimit mbi të ardhurat, vitin që vjen do të futen në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira.  Kjo masë vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me 2 miliardë lekë në vit. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimi referoi për deputetët e Komisionit të Ekonomisë se janë mbi 14 mijë profesione të regjistruara me statusin e personit fizik, të cilat do të jenë subjekt i tatimit, duke ndikuar në këtë mënyrë në dekurajimin e fenomenit të kalimit nga listë-pagesa me statusin e të punësuarit dhe me barrë fiskale progresive 13% e 23%.

Ndryshimet eliminojnë edhe praktikat e transferimit brenda vendit të fitimit nga personat juridikë subjekt i tatimit mbi fitimin 15%, te personat fizikë të vetëpunësuar me shkallë tatimore 0%, nëpërmjet faturimit të shërbimeve.

Tatimi për bizneset e vogla që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtisë, prodhimit, transportit, artizanatit etj, të organizuara si persona fizikë tregtarë, por edhe SHPK e që realizojnë xhiro deri në 14 milion lekë do jetë 0% deri në fund të vitit 2029.

Rritja e kufirit të patatueshëm të pagës në 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë u aplikua në mes të këtij viti.

Rritja e kufirit të patatueshëm të pagave ndihmon në rritjen e deklarimit real të pagave, pasi informaliteti është ende i lartë në këtë drejtim.

Rritja e deklarimeve, nga ana tjetër, do të ndihmonte qeverinë të arkëtonte më shumë të ardhura nga kontributet e sigurimeve./Monitor