Celebrities Live From Tirana Music

Nga kontrata me studion prestigjoze e deri te bashkëpunimi me menaxherin e Lady Gaga-s, Ana Kodra i zbulon të gjitha në TAR!

Sot, të ftuara në emisionin “Live From Tirana”, për të na folur në lidhje me temën e ditës “Përse të studiosh muzikë që fëmijë të bën një të rritur më të mirë” ishin këngëtarja Ana Kodra e cila ka qenë pjesë e “The Voice Kids”, Anda Mira Kaponja, mësuese në Liceun Artistik të Tiranës dhe Ana Mene, studente e pianos klasike.

Të studiosh muzikë që fëmijë të bën një të rritur më të mirë. Çfarë mendon mësuese Anda për këtë?

Të gjithë që vijnë në Lice në çfarëdo lloj moshe në momentin që ulen për të mësuar një instrument muzikor kanë një plus të madh në jetën e tyre. Marrin përsipër një përgjegjësi shumë të madhe, kur janë 5-6-vjeç bëjnë koordinimin sy, dorë dhe mendje që në përgjithësi fëmijët e tjerë e bëjnë me vizatimin por nuk është kaq e kultivuar sa instrumenti. Kjo bën që fëmija të jetë shumë herë më përpara sesa të tjerët dhe mëson të ketë vullnet të hekurt, sepse studimi i instrumentit nuk mbaron asnjëherë. Kur krijon një edukatë pune, je pak më i veçantë se të tjerët. Instrumentistët sidomos klasikët krijojnë grupet e tyre dhe mësohen të luajnë në orkestër, mësohen të dëgjojnë njëri-tjetrin. Kjo është të dish të luash në grup dhe kjo nuk të le kurrë vetëm.

Në momentin që studion piano çfarë ndjesish ka Ana Mene? Çfarë marrëdhënie ajo ka me pianon?

Zakonisht më pëlqejnë shumë pjesët e qeta por edhe ato që janë shumë të shpejta japin emocione të tjera. E kam më përzemër pianon dhe nëse shkon në një restorant të mirë apo hotel dhe ka piano ne pianistët ndihemi të vlerësuar.

Çfarë natyre është Ana? A është ajo e duruar me ushtrimet që mund të jenë pak të mërzitshme?

Përpiqem t’i studioj ngadalë edhe pse më acarojnë (qesh).

A të bën piano një person lehtësisht të komunikueshëm? Ana shprehet se:

Po, në fakt është më e lehtë sepse kur i bie pianos bëhesh më i ndjeshëm dhe besoj se kjo ndikon.

Le të kalojmë pak te Ana e “The Voice Kids”, çfarë marrëdhënie ka artistja e vogël por plot talent me instrumentet?

Janë bërë 4 vite që nga “The Voice Kids” dhe kur e dëgjoj më jep emocion. Nuk është se e shoh veten vetëm si pianiste por dua të jem edhe si kantautore. Unë shkruaj këngë, nëse më pëlqejnë i hedh. Tani kam shkruar një album dhe po presim që ta hedhim për në Amerikë. Para 2 vitesh shkova në Amerikë për “America’s Got Talent” dhe nuk kisha vizën e caktuar. Më pas fatmirësisht takova një agjente dhe kam folur me atë gjatë karantinës. Më pas u lidhëm dhe bëmë kontratën. Para nja dy javësh isha në Amerikë, shkova tek “Loft Studio” dhe isha shumë e nderuar të bashkëpunoja me ata. Takova dhe menaxherin që ka nxjerrë albumin e parë të këngëtares Lady Gaga dhe ma vlerësoi shumë talentin. Shpresoj që të nxjerrim ndonjë gjë të bukur. 

Lidhur me eksperiencën e saj në “The Voice Kids”, Ana tregon se:

Isha 10-vjeçe në atë kohë, kur kujtoj sa presion kisha për të mësuar këngët, por ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe një nga të vështirat gjithashtu. 

Si i ndan marrëdhëniet me pianon Ana?

Nëse jam produktive mjaftueshëm ulem në piano. Të jep një ndjesi që nuk ta jep çdo instrument tjetër.