Aktualitet Sociale

Nga sot në e-Albania nis programi i kredive të lehtësuara për mjekët, policët e ushtarakët e rinj!

Sot nisi programi i kredive të lehtësuara për mjekët, policët dhe ushtarakët e rinj. Në rrjetet sociale, lajmin e ndan kryeministri Edi Rama, duke theksuar se portali e-Albania ofron shërbimin e dedikuar për kreditë e lehtësuara për 300 punonjësit e parë të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe mjekët që do të përfitojnë nga ky program i ri mbështetjeje, për familjet e reja të këtyre tre kategorive.

Hapat e thjeshtë të aplikimit në e-Albania në 30 ditët e ardhshme mundësojnë një proces të shpejtë e transparent për aksesin në këtë program të ri.

Sistemi i aplikimit për këtë program tashmë është finalizuar dhe ky shërbim mundësohet që prej ditës së sotme në portalin e-Albania, në linkun e mëposhtëm: https://e albania.al/ealbaniaservices/useservice.aspx?service_code=15809

Për vitin 2023, numri i përfituesve do të jetë 300 në total, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për tre kategori dhe konkretisht: 100 për mjekët e sistemit shëndetësor; 100 për punonjësit e Policisë së Shtetit e 100 për ushtarakët e Forcave të Armatosura.

Programi i strehimit social për kreditë e lehtësuara për blerjen e banesës për punonjësit e administratës u bë i mundur falë ndryshimeve në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social”, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në qershor të këtij viti.

Këto kredi do të përfitohen me interes 0% për kategoritë e mësipërme. Në zbatim të këtyre ndryshimeve ligjore, Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime e që konkretisht janë:

Vendimi nr. 468, datë 26.7.2023, “Për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës”, i cili parashikon procedurën, kriteret apo edhe dokumentacionet që duhet të plotësohen për të aplikuar për programin e kredisë së lehtësuar për blerjen e banesës, për punonjësit e administratës publike;

Po ashtu, vendimi nr.469, datë 26.7.2023, “Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike”.