Rajoni

Njoftim i rëndësishëm i MPDJ-së për ata që udhëtojnë drejt Kosovës!

Për shkak të mbylljes për qarkullim të pikave kufitare drejt Serbisë, Bërnjak dhe Jarinjë, si rezultat i bllokimit të rrugëve nga serbët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kërkon nga të gjithë personat që janë duke udhëtuar drejt Kosovës të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar. Në njoftim thuhet:

Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi merrni rrugën përmes Maqedonisë së Veriut (pikëkalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit.

Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të gabuara, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutem ndiqni Policinë e Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.

Edhe pse qeveria e Kosovës shtyu me një muaj zbatimin e vendimeve të reciprocitetit për dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve, vazhdon bllokimi i rrugëve në veri. Këtë mëngjes, barrikadat e vendosura nga serbët janë aty, duke pamundësuar lëvizjet për në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak.

Për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, deklaroi se gjendja nuk ka ndryshuar.

Situata është e qetë, nuk ka ndodhur gjë. Barrikadat ende janë aty, por të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë ditës, pas vendimit për shtyrjen.

Aktualisht, në Mitrovicën e Veriut, situata përshkruhet “e qetë”. Në rrugët e këtij qyteti shihen mesazhe me mbishkrimet: “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe!”. Një ditë më parë, serbët vendosën në rrugë kamionë e të tjera mjete të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat e dokumentet serbe.