Rajoni

Osmani: Asociacioni nuk është kusht për Këshillin e Evropës!

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Duke folur për gazetarët në Prishtinë, Osmani u shpreh se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se vendi i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

Nëse e lexoni letrën e saj, në veçanti paragrafi i 11-të i raportit, e qartëson se kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit.

Osmani i bëri këto komente pasi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë REL-it më 15 mars, sugjeroi se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, sot do të mbajë një mbledhje, ku pritet të votohet raporti i Bakoyannis. Kosova aplikoi në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i vendit është riaktualizuar në javët e fundit pasi me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Nëse Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare në prill, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj.

Osmani tha se Kosova e ka treguar përkushtimin për të themeluar Asociacionin më 2013-ën e më 2023-shin.

Pra, ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i Marrëveshjes bazike të viti 2023.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013-ën e më pas më 2015-ën mbi parimet për themelimin e tij. Por, më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konkluduar se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër asociacionit njëetnik. Të hënën, Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi tha se e mbështet deputeten Maja Vukiçeviç, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Osmani tha se institucionet kosovare janë angazhuar për të lobuar me vendet anëtare për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

Janë disa hapa që kanë mbetur, por ajo që mund të them është se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare, por edhe jemi duke biseduar me shtet veç e veç, si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg, Francë, bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.