Aktualitet

Pandemia “mëson” shqiptarët të bëjnë pagesa me kartë!

Numri i pagesave me kartë në Shqipëri arriti në më shumë se 5.8 milionë gjatë vitit 2020, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pagesat në pikat elektronike të shitjes kanë shënuar një rritje domethënëse me 17% krahasuar me një vit më parë.

Pas shpërthimit të pandemisë, konsumatorët nisën të përdornin më shumë kartat për pagesat kryesisht për shkak të perceptimit se kontakti me paranë CASH mund të sillte një rrezik të shtuar për përhapjen e koronavirusit.

Por studimet krahasuese të Visa dhe Master Card kanë treguar se Shqipëria është një ndër tregjet me përdorimin më të ulët të pagesave me karta. Pagesat me kartë në pikat elektronike të shitjes përbëjnë vetëm 10% të volumit total të transaksioneve me kartë, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet me nivelin më të ulët të këtij treguesi në Europë.