Rajoni

Parlamenti Europian thirrje 5 shteteve të BE-së që të njohin pavarësinë e Kosovës!

Parlamenti Europian sërish i bën thirrje 5 vendeve të Bashkimit Europian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet, ta bëjnë këtë sa më shpejt. Këtu përfshihen Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia dhe ftesa ndaj tyre ripërsëritet në draft-raportin për Kosovën, të përgatitur në Komisionin e Politikës së Jashtme nga raportuesja Viola von Cramon. Parlamenti mbetet i vetmi institucion i BE-së, i cili që nga fillimi i referohet Kosovës si shtet dhe vazhdimisht kërkon nga shtetet anëtare t’i njohin pavarësinë.

Në draft-raportin e Parlamentit Europian thuhet se: “Kosova vuan mungesën e stabilitetit politik, sidomos pas zgjedhjeve të tetorit 2019”. Vendit i kërkohet të shtojë përpjekjet për të adresuar problemet në fushën e sundimit të ligjit, funksionimin e institucioneve e zhvillimin ekonomik. Gjithashtu shprehet keqardhje për shpërbërjen e Task-Forcës anti-korrupsion të Policisë. Ndër të tjera, vihet në dukje se Bashkimi Europian duhet t’i mundësojë qytetarëve të Kosovës heqjen e vizave.