Aktualitet

Partitë e majta Europiane urojnë Edi Ramën për fitoren!

Kryeministrit Edi Rama i ka ardhur sot një urim i veçantë nga Sergey Stanishev kreu i Partive Socialiste Evropiane, bashkimi i partive simotra të PS-së në Evropë.

Në letrën e tij Stanishev thotë se 25 prilli doli me një verdikt të qartë të popullit shqiptar. PSE gjithashtu vlerësojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke nënvizuar se ato përmbyshën standardet duke qenë të qeta, të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Stanishev shkruan:

I dashur Kryeministër, i dashur Edi, në emër të familjes PES, më lejoni të përgëzoj për fitoren e partisë suaj të Dielën e kaluar. Me gjithë kontekstin sfidues COVID 19, Shqipëria arriti të organizojë zgjedhje të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, në kuadër të ligjit të ri zgjedhor, gjë që është një arritje e vërtetë. Duke parë rezultatin pozitiv, vullneti i votuesve është i qartë. Qytetarët tuaj duan që ju të vazhdoni të ndiqni rrugën evropiane dhe zbatoni programin tuaj Social-Demokrat. Gjatë viteve të fundit, qeveria juaj ndoqi reformat e nevojshme për ta bërë Shqipërinë vend më të mirë për njerëzit e saj dhe të vazhdojë rrugën për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën Evropiane dhe do të bëjmë më të mirën tonë për të nxitur fillimin e konferencën ndërqeveritare për të hapur negociatat për pranimin. Edhe një herë, merrni urimet e mia më të ngrohta për këtë fitore. Me shpresën që së shpejti të mund të takohem personalisht.

Një ditë më parë  ka qenë Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE që ka uruar kryeministri Edi Rama për fitoren e mandatit të tretë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në PE thekson se inkurajon forcat politike të angazhohen në përpjekje për rrugën evropiane.

Ky vlerësim i Partive Socialiste Evropiane vjen pasi vende të rëndësishme të Bashkimit Evropian por edhe SHBA i kanë dhënë notë pozitive zgjedhjeve të 25 prillit, duke i cilësuar ato legjitime.