Rajoni

Pas grevës 5 javore, sot në Kosovë nis mësimi!

Në Kosovë sot nis mësimi, që nuk fillonte për shkak të grevës në sektorin publik, të cilës iu bashkuan edhe arsimtarët. Ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci, mirëpriti vendimin e kërkoi angazhim për të rikuperuar humbjet nga greva.

Kalendari i vitit shkollor duhet të ndryshohet, ndaj menjëherë të hënën, më 3 tetor, do të formojmë grupin punues për të rishikuar këtë Udhëzim Administrativ. Do të vazhdojmë punën me intensitet të shtuar në përmirësimin e legjislacionit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës dhe realizimin e shtesës së performancës. Institucionet në komuna të marrin masa për fillimin e mësimit.

Për 5 javë, mbi 300 mijë nxënës mbetën jashtë bankave të shkollave. Sindikalistët kërkuan nga 100 euro në muaj për çdo punonjës të sektorit publik, deri në hyrjen në fuqi të ligjit “Për pagat”. Por, qeveria iu ndau nga 50 euro.

Kreu i Këshillit grevist, Rrahman Jasharaj, saktësoi se “greva nuk mbyllet, por pezullohet deri në janar 2023”. Jasharaj i bëri thirrje qeverisë që këto muaj t’i shfrytëzojë për dialog me sindikalistët e të mos flasë për fitore, se sipas tij, “nuk ka fituar kush”.

Nga Qeveria kërkojmë që të takohemi në dialog të sinqertë për të realizuar kërkesat legjitime të anëtarësisë. Uroj që Qeveria dhe Parlamenti ta mbajnë fjalën për Ligjin e pagave, për ndryshimin e Ligjit të skemave të pensionit e sidomos për kriterin diskriminues për 15 vjet kontributdhënës para vitit 1990. Uroj që të punohet bashkërisht Ligji për sigurime shëndetësore, uroj që tre palët në këshillin ekonomik-social ta nënshkruajnë Marrëveshjen Kolektive, diçka që është bazament për të drejtat e sindikalistëve në Kosovë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka hartuar projektligjin “Për pagat”, që po i nënshtrohet konsultimeve publike e duhet të miratohet në Qeveri e Kuvend, para se të publikohet në Fletoren Zyrtare. Tetë muaj pas publikimit në Fletoren Zyrtare, ligji do të hyjë në fuqi.