Aktualitet

Pas ndarjes nga jeta të Hueyda El Saied, flet për herë të parë bashkëshorti i saj!

Balerina, aktorja, këngëtarja, modelja, moderatorja, piktorja e shkrimtarja, Hueyda El Saied, ndërroi jetë pak javë më parë pas një sëmundje të gjatë. Ndarja nga jeta në moshë të re ka lënë të pikëlluar të gjithë miqtë dhe kolegët e saj, teksa reagimet në rrjet kanë qenë të shumta.

Partneri i saj ka qenë ndër të fundit që ka reaguar në një postim të shpërndarë në rrjete sociale. Ai thotë se është dhimbje e madhe dhe trishtim i thellë, por falënderon të gjithë për ngushëllimet.

Dhimbja është ende e pamatshme dhe trishtimi kaq i thellë, por unë dhe Gabriel duam t’ju falënderojmë për gjithë simpatinë e treguar dhe dallgët e dashurisë për Hueydan, dashurinë gjithëpërfshirëse duke nisur që nga Tirana e saj e në të gjithë pjesët e tjera të botës. Faleminderit! Hueyda u largua si një yll vezullues me kokën lart pas një lufte të egër. Ajo tregoi kurajo dhe forcë absolute pa dështuar dhe pa u ankuar kurrë. Hueyda rrëmbeu admirimin e të gjithëve ne, por mbi të gjitha atë të dy fansave të më të mëdhenj në këtë luftë: Gabrielin dhe timen, dy dashuritë e saj. Por Hueyda, dashuria ime e madhe, ishte shumë më tepër se kaq dhe ne jemi shumë krenarë për jetën e saj, vlerat dhe përkushtimin. Hueyda është dhe do të jetë gjithmonë artistja e cila na ka prekur të gjithëve, në një kohë apo në tjetrën. Faleminderit dashuria ime nga thellësia e zemrës sime që më bëre një njeri më të mirë dhe mbi të gjitha faleminderit që më dhe dhuratën më të çmuar, Gabriel, birin tim, të cilin do të vazhdoj ta dua me gjithë zemër dhe shpirt. Hueyda, dashuria ime, do të na mungosh shumë. Unë dhe Gabriel do të të duam gjithmonë dhe do të jesh përjetë në zemrat tona.

El Saied ndërroi jetë më 23 nëntor në moshën 46-vjeçare. Ajo ka jetuar prej vitesh në Luksemburg së bashku me partnerin e saj, Thierry dhe djalin, Gabriel.

Hueyda spikati në fillim të viteve ‘90 me pjesëmarrjen dhe vlerësimin me çmim të parë në spektaklin “12 vallëzime pa një të shtunë” për të mos u ndalur si pjesë e të tjera produksioneve të rëndësishme në Shqipëri, Francë, Itali, Belgjikë, Portugali e Kamerun. E lindur në Tiranë, nga nënë shqiptare e me baba me origjinë nga Sudani, El Saied, lë pas një karrierë të gjatë ku përveçse në televizion e teatër, gjithashtu la gjurmë edhe për kontributin në fushën e të drejtave të njeriut e në të gazetarisë.