Sport

Pas Premier League, Omicron godet edhe Serie A, anulohet ndeshja e sotme!

Pas Anglisë, me Premier League që u detyrua të shtynte 10 ndeshje si pasojë e infektimeve nga varianti i ri i COVID, Omicron, tashmë telashet duken në horizont për Italinë dhe Serinë A. Ndeshja e programuar për sot mes Udineses dhe Salernitanën nuk do të zhvillohet pasi miqtë as nuk kanë udhëtuar për në Udine.

Kjo sepse në testet e kontrollit, rezultati nuk ka qenë ai i duhuri. Një pjesë e lojtarëve kanë rezultuar të infektuar dhe në këtë formë autoritet shëndetësore të Salernos kanë ndaluar skuadrën të zbresë në fushë. Kujtojmë se pjesë e Salernitanës është edhe mbrojtësi i kombëtares, Federic Veseli.

Nga ana tjetër, një rast pozitiv me COVID është konfirmuar edhe në radhët e Lazios teksa fjala është për sulmuesin Ciro Immobile. Ky i fundit është futur menjëherë në izolim për të shmangur një përhapje të virusit, ndërsa në këtë formë, bardhekaltërit do të duhet të bëjnë pa sulmuesin kryesor për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Venezias në transfertë.

Sa i përket vaksinimeve të futbollistëve në Premier League, përqindja është ndjeshëm inferiore teksa ata që ende nuk kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës është në masën e 16%.

Nga ana tjetër, të vaksinuarit me të paktën një dozë janë në masën e 84%, por nëse në këtë statistikë shtohen edhe pjesëtarët e stafeve, atëherë përqindja e të vaksinuarëve të paktën me një dozë mbërrin në 92%. Gjithsesi, kjo shifër e Premier League është inferiore kur vjen puna në krahasimin me Gjermaninë apo Italinë.

Kështu, në Gjermani janë të vaksinuar të paktën me një dozë 94% e lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafeve, ndërsa në këtë aspekt rekordin e mban Italia me 98% të lojtarëve dhe stafeve të cilët kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe kanë nisur kështu procesin e imunizimit.

Ndërkaq, pavarësisht gjithë situatës alarmante, klubet e Premier League kanë vendosur në një mbledhje ditën e hënë që të mos shtyjnë më ndeshjet e radhës dhe të zbresin normalisht në fushë në datat 26, 28, 30 dhjetor, si dhe më 1 e 2 janar të vitit 2022.