Aktualitet

Pas Shkodrës e Vlorës, kamerat e krimit edhe në Durrës/ 8 persona nën hetim!

Janë 47 kamera sigurie të vendosura nga grupet kriminale, në disa lagje të qarkut Durrës dhe u çmontuan nga policia, në kuadër të një operacioni mbarëkombëtar, i zhvilluar më parë në Vlorë e në Shkodër. Kamerat e sigurisë të instaluara për sigurimin e informacioneve për qëllime kriminale e për të monitoruar lëvizjet e policisë, ishin montuar nga grupet e të fortëve në Durrës, Shijak, Krujë e Nikël.

Tetë persona janë vënë nën hetim në Durrës e Shijak, pasi vendosën kamera ilegale në lagje. Për ndërhyrje të padrejta në jetën private të qytetarëve në Shijak u vunë nën hetim Albert Muharremi (vëllai Rrumit), Xhulio Vora, Astrit Balliu (Avdyli), Jasin Kala (Avdyli), Altin Avdyli dhe Sajmir Gjepali, ndërsa në Durrës u vunë nën hetim Plarent Dervishaj e Dejvid Karaboja.

Gjatë operacioni të koduar “Fijet” i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u çmontuan në Durrës, Shijak dhe Krujë 47 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Dyshohet se kamerat janë vënë për të siguruar informacione, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Gjatë fazës së katërt të këtij plani operacional, në lagjet nr.6 dhe nr.17 të Durrësit u çmontuan 11 kamera, si dhe janë nën hetim Dejvid Karabojahe Plarent Dervishaj, aktualisht i shpallur në kërkim për një tjetër vepër penale.

Operacioni ka vijuar në Shijak dhe nga kontrolli i ushtruar u çmontuan dhe u sekuestruan 18 kamera të vendosura në lagjen e “Keçeve”, si dhe në ato “Popullore”, “Kodër Sukth” e “Partizani”.

Gjithashtu, plani operacional “Fijet”, ka vijuar në Krujë e në Nikël, ku janë çmontuar e sekuestruar 18 kamera të tjera, të vendosura në shtyllat elektrike të disa lagjeve të qytetit të Krujës e në Nikël.

Një ditë më parë, policia mundi të çmontojë 16 kamera sigurie që kontrolloheshin nga kontigjenti kriminal në Vlorë, ndërsa në Shkodër janë çmontuar 38 kamera sigurie. 21 prej tyre ishin instaluar në dy lagjet më problematike të qytetit, Kiras e Dobraç. Aty banojnë familjet Liçi, Bilali e Bajri.