Bota

Pavarësisht protestave, Franca bën të detyrueshme pasaportën shëndetësore anti-COVID!

Parlamenti i Francës miratoi ligjin që vaksinat kundër koronavirusit i bën të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor, si dhe zgjeron listën e vendeve që kërkojnë të ashtuquajturën pasaportë shëndetësore.

Punonjësit e shëndetësisë kanë afat deri më 15 shtator që të vaksinohen, në të kundërtën rrezikojnë pezullimin nga puna. Masa çoi në protesta por për presidentin Macron nuk ka kthim pas.

Për shefin e Elizesë, masat janë të domosdoshme që njerëzit të mbrohen e të mos mbingarkohen spitalet. Ndërkaq, ndryshimet në pasaportën shëndetësore hyjnë në fuqi në gusht, nëse miratohen nga Gjykata Kushtetuese.

Pasaporta tregon nëse dikush është vaksinuar, shëruar apo ka rezultuar negativ në testin anti-COVID. Në Francë duhet të paraqitet për të hyrë në muze, kinema, pishina dhe aty ku ka turma të mëdha.

Me rregullat e reja, gjithashtu do të jetë e nevojshme për të hyrë në restorante e bare, si dhe për udhëtime në distancë të gjatë me trena e avionë.

Si shumë vende të tjera në Europë, Franca po përballet me variantin Delta të koronavirusit. Nga 4 mijë raste ditore në fillim të korrikut, tani janë 22 mijë. Edhe shtrimet në spitale vazhdojnë të rriten ndjeshëm. Vetëm rreth 50% e popullatës franceze është vaksinuar plotësisht kundër COVID-it.

Në Gjermani, Qeveria po shqyrton kufizime për njerëzit e pavaksinuar nëse numrat e rasteve me koronavirus rriten ndjeshëm në muajt e ardhshëm. Ata mund të ndalohen të hyjnë në vende si restorante, kinema apo stadiume. Autoritetet gjermane besojnë se të tilla politika janë të ligjshme përsa kohë synohet mbrojtja e shëndetit të njerëzve. Javët e fundit, në Gjermani ka një ulje të ritmit të vaksinimit.

Edhe Shtetet e Bashkuara po luftojnë për të rritur numrin e njerëzve të vaksinuar. Kryeimunologu Anthony Fauci jep alarmin se situata paraqitet e vështirë.

Numri i rasteve po rritet nga amerikanët e pavaksinuar, po shkojmë në drejtimin e gabuar. Jam shumë i irrituar!

Në Amerikë nuk përjashtohet mundësia e rekomandimit të maskave për njerëzit e vaksinuar kundër koronavirusit.