Rajoni

Përdorimi vetëm i euros në Kosovë, BQK: Po diskutohet shtyrja e zbatimit të rregullores, nuk ka pezullim!

Vendimi i Bankës Qendrore që vetëm valuta euro të përdoret në Kosovë, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç zhvilloi një takim urgjent me disa ministra. Nga ky vendim, serbët në Kosovë nuk mund të përdorin dinarin për të kryer pagesa me para. Në takim u diskutuan hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë Beogradi.

Në takimin e dy ditëve më parë në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Vuçiç kërkoi anulimin e vendimit të BQK-së.

Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it: Italia, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin, në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

Në një reagim për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja tha se shtyrja e zbatimit të rregullores po diskutohet, por pezullimin e hodhi poshtë.

Pezullimi në asnjë mënyrë! Shtyrja është në diskutim e sipër. Lajçaku nuk ka pasur takim me askënd nga BQK-ja. Siç e dini, BQK-ja është institucion i pavarur. Ne jemi duke e diskutuar si çështje, nuk ka vendim përfundimtar ende. Sot do të dalim me një vendim se nga nesër, rregullorja hyn në fuqi.

Radio Evropa e Lirë: A është interesuar ndonjë bankë për t’u licencuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi Banka Komerciale [e Serbisë] atje po mbyllet?

Bashkim Nurboja: Në pjesën veriore ka filiale të bankave, të cilat operojnë në të gjithë Kosovën; ka institucione jobankare që merren me sistemin e pagesave, të çështjeve të ndryshme të shërbimeve financiare, të cilat operojnë edhe në veri. Eshtë një numër i mjaftueshëm i tyre. Megjithëse, ka edhe banka tashmë që kanë shprehur dëshirë për t’i hapur filialet atje.

Në Kosovë është mbyllur një bankë me likuidim vullnetar, që ka qenë Komercjalna Banka. Eshtë mbyllur vetë, për shkak të blerjes nga grupi i NLB-së në nivel ndërkombëtar.

Këtu operon NLB-ja dhe krejt bankat janë të licencuara. Të gjitha institucionet financiare duhet që të jenë të licencuara për shërbimet e tyre.