Bota Lajmet e fundit

Përfundon procesi i votimeve në Gjermani, ja çfarë thonë Exit-Pollet e para.

Ka përfunduar procesi i votimeve në zgjedhjet për parlamentin federal në Gjermani. Menjëherë pas mbylljes së votimeve, mediat kanë publikuar dhe projeksionet e para.

Sipas BBC, Qendra e majtë e kandidatit Oaf Scholz është barazuar me qendrën e djathtë të Armin Laschet me 25% të votave, pasuesi i Angela Merkelit në parti.

Thënë ndryshe ka një barazim votash mes CDU dhe SPD me nga 25 % secila.

Këto janë shifrat e sapo publikuara nga një sondazh i votuesve nga 560 vendvotime në të gjithë Gjermaninë.

Exit-Polli i dytë nxjerr në kryesim partinë e Angela Merkelit.

Por në projeksionin e dytë të publikuar nga ZDF, u ka dhënë një epërsi konservatorëve të Angela Merkel.

Sipas saj, CDU-CSU kryeson me 26% të votave në krahasim me SPD me 25 % të votave.

Sondazhet e para tregojnë një rezultat të ngushtë, megjithëse mbani mend se ato nuk përfshijnë votimin me postë.

Megjithatë, reagimi ka filluar të vijë nga selia e partisë. Sekretari i përgjithshëm socialdemokrat Lars Klingbeil thotë se rezultati tregon se është koha për ndryshim.

Votimet kanë nisur mëngjesin e kësaj të diele ku rreth 60 milionë qytetarë me të drejtë vote në Gjermani, vendosin për udhëheqjen e re të vendit.

Ligjvënësit që do të fitojnë në zgjedhjet e sotme, do të vendosin se kush do të zëvendësojë kancelaren popullore në largim Angela Merkel.