Aktualitet Rajoni

Përfundon takimi trepalësh në Bruksel, s’ka marrëveshje për dinarin serb!

Ka përfunduar në Bruksel takimi mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb Petar Petkoviç të cilët në ndërmjetësimin e BE-së diskutuan për çështjen e heqjes së dinarit serb.

Bislimi tha se mendon se duhet edhe një tjetër takim për çështjen e dinarit dhe se ende nuk është gjetur një pikë e afërt me Serbinë në propozimet e bëra për zgjidhjen e ngërçit në përparimin e dialogut.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, palët kanë diskutuar për dy propozime, por nuk preferoi të jepte detaje.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”– shtoi Bislimi.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, përpos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.