Bota

Përgjaket festa e Super Bowl-it, 1 i vrarë dhe 21 të plagosur në Amerikë!

Rikthehen masakrat me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një person u vra dhe të paktën 21 të tjerë janë lënduar nga të shtënat gjatë një parade të organizuar pas fitores së Kampionatit të Futbollit Amerikan nga ekipi Kansas City Chiefs. Policia në Kansas bëri të ditur se 21 vetë pësuan lëndime dhe shtatë prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

Shefja e policisë, Stacey Graves, deklaroi se janë duke hetuar motivin e të shtënave, duke shtuar se u arrestuan tre persona si të dyshuar, por nuk jepen detaje të mëtejshme. Sipas raportimeve, të shtënat ndodhën në afërsi të një parkingu ku ishte grumbulluar një turmë e madhe njerëzish. Ndërkaq, lojtarët dhe personeli i ekipit fitues të Kampionatit Amerikan në Futboll, i njohur si Super Bowl u mblodhën për të festuar fitoren.

Në një postim në platformën X, kryebashkiaku Quinton Lucas, shkroi:

Kjo është një tragjedi që ne kurrë nuk e kemi përjetuar më parë në qytetin e Kansasit! Asnjë nga anëtarët e ekipit të futbollit dhe stafit nuk pësuan lëndime.

Kansas City Chiefs po festonte fitoren e së dielës, 11 shkurt ndaj San Francisco 49ers, në Las Vegas. Ky është kampionati i dytë me radhë që City Chiefs fiton dhe i treti në pesë sezone.

Përmes një deklarate, ekipi shprehu keqardhje për ngjarjen.

Jemi të pikëlluar për këto akte të pakuptimta të dhunës që ndodhën gjatë paradës!