Health & Beauty Lifestyle

Përse duhet të vendosni lule në tavolinën e punës…

Futja e luleve në zyrë është njëra ndër mënyrat më të mira që të zvogëlohet stresi, të përmirësohet humori dhe efikasiteti i punës. Në hulumtimin e bërë nga ekipi i profesoreshës Margaret Barçet të Universitetit Teknologjik të Sidnejit, është zbuluar që lulet e zyrës mund të ulin nivelin e toksinës në ajër në 20%, ndërkaq hulumtimet e tjera shtojnë që mund të zvogëlojnë lodhjen, kollën, inflamacionin e fytit dhe simptomat e ftohjes për më shumë se 30% si dhe mungesën e shpeshtë nga puna në 60%.

Ajri në lokalet e mbyllura është 5-10% më i ndotur se ai i jashtmi. Te personat të cilët kryesisht qëndrojnë në hapësira të mbyllura mund të shfaqen probleme shëndetësore si kolla, vështirësi me frymëmarrjen, astma dhe problemet e tjera me sistemin e frymëmarrjes, si edhe problemet me sistemin kardiovaskular.

Disa shkencëtarë konstatojnë që për pastrimin, pasurimin e ajrit dhe mbajtjen e nivelit optimal të lagështisë në hapësirë nuk kanë rol vetëm lulet, por edhe mikroorganizmat të cilët jetojnë në rrënjët e tyre, në humus dhe në dheun në të cilin janë mbjellë. Përparësia kryesore e luleve të zyrës ndoshta nuk është në furnizimin me oksigjen, por në eliminimin e dyoksid karbonit, sepse hulumtime të shumta tregojnë që efikasiteti i punës bie duke u rritur niveli i dyoksid karbonit.