Bota

Pezullohen nga policia 9 zyrtarë në Gjirokastër, mes tyre edhe kryekomisarë! Lejuan kalimin e emigrantëve të paligjshëm!

Nëntë zyrtarë dhe efektivë të policisë në Gjirokastër janë pezulluar nga detyra me vendim gjykate, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Shefi i sektorit të Migracionit në Gjirokastër Florian Mustafaj, shefi i sektorit të Hetimit Rami Ruci, koordinatori i Operacionit me FRONTEX Behar Tafa, nënkomisarët  Ediat Kanina dhe Bernard Kermaj si dhe inspektorët Drini Caci, Ramiz Ballia, Emiljano Kazma dhe Dritan Sako, dyshohen për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Hetimi disa mujor zbuloi se punonjësit e policisë bashkëpunonin duke transportuar migrantë të kapur nga vendet e treta nga Qarku Gjirokastër në territorin e Bashkisë Delvinë, duke i lënë më pas të lirë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.

Nga hetimet ka rezultuar se në disa raste, pas lënies së migrantëve në zonën e Delvinës, ata janë transportuar kundrejt fitimit nga persona të tjerë, ose kanë udhëtuar në brendësi të territorit shqiptar.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se për rastin vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të dokumentuar aktivitetin e paligjshëm të punonjësve apo bashkëpunëtorëve të tyre.