Bota

Pfizer sugjeron që me dozën përforcuese të merret edhe vaksina kundër pneumonisë!

Kompania farmaceutike Pfizer bën të ditur se dozat e saj përforcuese kundër COVID-19 mund të jepen bashkë me vaksinën kundër pneumonisë. Sipas kompanisë amerikane, “ky kombinim vaksinash jep një përgjigje më të fortë e më të sigurtë imunitare”.

Pfizer tha se “këto të dhëna dalin te studimet e kryera te personat mbi 65-vjeç dhe studimi është në fazën e fundit”.

Në studimin që nisi në muajin maj, kompania ka testuar vaksinën pneumokokale të quajtur PREVNAR 20 dhe 570 pjesëmarrësit e kanë marrë bashkë me dozën përforcuese të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit.

Qëllimi i studimit ishte të testohet siguria e këtij kombinimi dhe përgjigja imunitare, duke i shtuar vaksinën kundër pneumonisë asaj ekzistuese anti-COVID/19. Të dhënat e këtij studimi mbështesin administrimin potencial të PREVNAR 20 bashkë me vaksinën e Pfizer-it kundër koronavirusit, që thuhet se redukton numrin e vizitave të njerëzve te mjekët apo farmacitë për imunizimin e rekomanduar.

Në qershor të vitit të kaluar, Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Medikamentet miratoi përdorimin e PREVNAR 20, me qëllim që të ndihmojë popullsinë e rritur kundër sëmundjeve pneumokokale dhe pneumonisë. Pjesëmarrësit në këtë studim u morën nga ai i fazës së fundit për vaksinën kundër COVID-19. Që të gjithë ishin të imunizuar me dozën e dytë të paktën gjashtë muaj para se të merrnin pjesë në këtë studim të ri.