Celebrities Music Pardon My French

Pier Noshi: “Për mua këtë vit Ronela duhet ta fitonte Eurovision!”

“Pardon My French” vjen edhe këtë të mërkurë me një të ftuar shumë special. Bëhet fjalë për artistin Pier Noshi, i cili gjithnjë sjell muzikën e mirë dhe atmosferën pozitive dhe kjo gjë nuk mungoi as gjatë intervistës së sotme në Top Albania Radio. Noshi identifikohet me kitarën e tij gjatë gjithë kohës dhe kjo aspak rastësisht, teksa artisti ka mbaruar studimet pikërisht për kitarë.

Babi ishte ai që insistoi, pa që kisha talent dhe më shtyu që të zgjidhja kitarën sepse është instrument i bukur.

Ai foli edhe më tej në lidhje me planet dhe projektet e tij muzikore, teksa ekskluzivisht për TAR, zbuloi se së shpejti do të vijë shumë ndryshe.

Kam një projekt tjetër që ende nuk e kam lançuar në asnjë vend, ndaj kam qenë shumë në pauzë në rrjete sociale nga ana muzikore sepse po sjell një muzikë ndryshe, do jem pak më dance, pak më i kërcyeshëm. Kam kultivuar publik që e do këtë muzikën time.

Jo vetëm për muzikën dhe artin e tij, Noshi u shpreh edhe për njohjen me dashurinë e jetës, teksa ajo dukej se ishte dashamirëse e muzikës së tij dhe ky ishte pikërisht fillimi i historisë së tyre.

Në ato kohë këndoja me tim at. E shihja gjithnjë që vinte më shihte, rrinte me shpinë, ishte e turpshme. Erdhi disa herë, e vura re dhe fillova me disa këngë më romantike.

Një artist që ka qenë jo pak herë në Top Fest, Noshi u shpreh më tej se si i shikon ai klikimet dhe se si funksionojnë klikimet në YouTube sipas tij.

Është bërë si treg edhe YouTube. Shumica i kanë blerë, nuk dua të gjykoj ata që i kanë të vërteta klikimet gjithsesi.

Po në lidhje me Eurovision?! Si i duket artistit ky kompeticion dhe çfarë nuk i pëlqen tek ai?!

E ndjek dhe është një nga eventet muzikore më të bukura në Europë. E vetmja gjë që më pëlqen është që sheh një gërshetim të bukur të folkut bashkë me atë që është shumë ‘in’. Këngën e Ronelës e kam krahasuar gjithnjë me këngën fituese. Për mua këtë vit Ronela duhet ta fitonte Eurovision. Nga ana teknike, si kompozim ishte i thjeshtë, refreni ishte shumë melodik, pjesa e orkestrimit ishte e kompletuar, kishte pjesë të folkut tonë…

Nuk jam shumë pro festivaleve për një faktor, që është konkurrimi brenda dhe që vënë disa rregulla të pathëna. Një artist nuk duhet t’i ketë këto limite që të kompleksohet. Nuk duhet të ketë çmim të parë, por çmime të para për llojin e zhanrit.