Aktualitet

Plagosja në Librazhd, policia në kërkim të autorit të identifikuar!

Vijon kërkimi policor për shtetasin Albi Biçaku në Librazhd. Pas një sherri të çastit, 27-vjeçari hapi zjarr në drejtim të një lokali e për pasojë u plagos në këmbë një 35-vjeçar. I lënduari Shpëtim Skura u dërgua në spital e siç njoftojnë burime zyrtare është jashtë rreziku për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. I dyshuari u largua menjëherë me automjetin me të cilin lëvizte edhe në momentin kur qëlloi me armë zjarri në lagjen nr.1 të Librazhdit.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Plagosi me armë zjarri një 35 vjeçar, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar. Vijon ndjekja për kapjen e autorit, shtetasit A. B., 27 vjeç nga Librazhdi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd rreth orës 19:00, kanë marrë njoftim se në lagjen nr 1 Librazhd, një shtetas ka plagosur me armë zjarri një shtetas tjetër. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifkimin e autorit të dyshuar, shtetasin A. B., 27 vjeç, banues në Librazhd dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Shtetasi A. B., duke qarkulluar me një automjet, në rrethana ende të paqarta ka plagosur me armë zjarri shtetasin Sh. S., 35 vjeç. 35-vjeçari është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet në vendngjarje, me qëllim zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes.