Aktualitet

Platforma e raportimit financiar për partitë, Celibashi: Siguron mbikëqyrje!

“Platforma elektronike për raportimin financiar nuk zgjidh një herë e mirë problematikat që lidhen me financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, por siguron mbikëqyrje efikase”. Gjatë prezantimit të kësaj platforme, kjo u deklarua nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi. E pranishme ishte dhe ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.

Platforma synon të mbështesë KQZ-në për të dixhitalizuar procesin e raportimit e të monitorimit financiar të partive politike. Kjo platformë nuk është mekanizmi që zgjidh një herë e përgjithmonë problematikat që lidhen me financimin e partive politike e të fushatave zgjedhore, por krijon mundësi të mirë për një administrim të plotë të të dhënave të raportuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike, si ndër vite dhe sa i përket fushatave zgjedhore.

Në vlerësimin tonë, kjo platformë gëzon të gjitha cilësitë që një produkt i tillë duhet të ketë. Si dhe sa do të mirëfunksionojë mbetet për t’u parë dhe besoj se pas një periudhe të shkurtër do të kemi mundësi të bëjmë rregullimet e nevojshme të këtij sistemi. E rëndësishme që ky sistem është një mekanizëm shumë i mirë për këdo që është përdorues i tij. Nuk do të jetë një sistem në radhën e atyre që promovohen me të madhe dhe humbasin më pas në dokumentacionet e institucioneve, por do të jetë funksional nga tani e në vijim.

Hohmann u shpreh se nëpërmjet kësaj platforme përmbushet një nga kushtet themelore, transparenca financiare.

Ne po përmbushim një nga kushtet themelore, transparencën financiare. Shqipëria është vendi i parë që ka një platformë të tillë për transparencë në rajon. Me një platformë të tillë, ne shohim një mundësi për të fuqizuar njerëzit, qytetarët që mund të kontrollojnë se çfarë ndodh. Qytetarët mund të zgjedhin bazuar se kë ata mendojnë se është kandidati më i mirë për punë. Në këndvështrimin tonë kjo është thelbësore, a do jetë ky fundi i sfidës? Jo, po për ne është një hap i rëndësishëm. Bazohet në transparencë e po ashtu një element për të cilin po punojmë, të luftojmë realitetin e korrupsionit sepse me transparencë, korrupsioni nuk ka asnjë mundësi. Ne duam të forcojmë besimin e njerëzve te zgjedhjet dhe kjo është një mundësi për të patur zgjedhje të lira ku ti e di se çfarë ndodh. Kjo platformë do të jetë aty dhe për partitë politike sepse duhet të jenë transparente për votuesit.