Bota

Pneumoni misterioze në Argjentinë, 3 viktima/OBSH monitoron!

Në Argjentinë, tre persona humbën jetën nga një pneumoni me origjinë të panjohur, ndërsa deri tani janë 9 raste. Alarmin e jep ministri i Shëndetësisë në provincën argjentinase Tucuman, Luis Medina Ruiz. E përbashkëta te pacientët është një gjendje e rënduar e frymëmarrjes, me pneumoni nga të dyja anët dhe radiografi të komprometuara, shumë të ngjashme me koronavirusin, por COVID-i përjashtohet.

Jemi në gjendje alarmi e po lëshojmë udhëzime për njësitë publike e private të terapive intensive, që në çdo kohë të trajtojnë pacientët me këto simptoma. Qëllimi është të përcaktohet diagnoza e saktë e të ndiqen të gjitha protokollet e duhura, siç rekomandohet për personat me probleme të frymëmarrjes.

Infektimet

Këto pneumoni nuk kanë fare të bëjnë me COVID-19/ën dhe as me gripin Hantavirus. 9 pacientë, 8 prej të cilëve personel shëndetësor po iu nënshtrohen analizave mjekësore specifike në Istitutin Malbran të Buenos Airesit. Luz Médica, një klinikë private në qytetin San Miguel de Tucuman, u vendos në izolim, në kuadër të masave paraprake.

Pacienti zero

Një grua e moshës 70-vjeçe rezulton e infektuara e parë. Ajo ishte shtruar për një operacion rutinë, por pas ndërhyrjes kirurgjikale mori një infeksion të pazakontë në mushkëri dhe që i kushtoi jetën. Më pas gjetën vdekjen një mjek e një infermiere.

Pneumonia po mbahet nën vëzhgim.

Autoritetet shëndetësore po analizojnë impiantin hidrik të strukturës, krahas njësisë për ajrin e kondicionuar. Në këtë mënyrë mund të përcaktohet nëse pneumonia ka origjinë toksike apo të lidhur me mjedisin. Pas marrjes së informacionit, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH dhe Qendra Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, ECDC po monitoron epideminë.