Aktualitet

Policia e Shtetit: Asnjë sulm kibernetik mbrëmë ndaj sistemit TIMS!

Policia konfirmon se TIMS nuk ra sërish pre e sulmeve kibernetike, por ndërprerja e mbrëmshme erdhi për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar. Për një kohë të shkurtër, kjo solli ndërprerje të shërbimit në disa pika kufitare, por nuk shkaktoi pengesë në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Sistemi TIMS vijon funksional, në të gjitha pikat kufitare. Ndërkohë, policia sqaron se prej ndërhyrjeve të brendshme, edhe ditët në vijim do të ketë ndërprerje në disa pika kufitare, ndërsa synohet përmirësimi i performancës së sistemit TIMS.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit:

Ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur një sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Konfirmojmë se pas ndërhyrjes së shkurtër, mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS vijon të jetë funksional, në të gjitha pikat kufitare. Sqarojmë se edhe në ditët në vijim do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë lajme që kanë impakt tek qytetarët, të kërkojnë informacion zyrtar pranë strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit.

Shtatorin e kaluar, në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë pati ndërprerje të punës, si dhe vonesa për shkak se u sulmua sistemi TIMS. Edhe në këtë rast, autorë ishin hakerat iranianë që ndërmorën një sulm të ngjashëm në korrik të këtij viti, duke çuar në paralizimin e e-Albanias. Kryeministri Rama siguroi se nuk u prekën të dhëna me rëndësi. Ndërkohë, sulmet e fundit kibernetike çuan në vendimin e Tiranës zyrtare për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike.