Rajoni

Presidenti i MV-së, Pendarovski: Ka kaluar koha kur Shqipërinë e shihnim si armike!

“Të panevojshme” e “të vjetra” i quan presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski reagimet lidhur me takimin në Tiranë të kryeministrit Rama me liderët e partive politike shqiptare në vendin e tij. Lidhur me këtë takim të 10 janarit ku sipas pjesëmarrësve kryesisht u diskutua për çështjet që kanë të bëjnë me përshpejtimin e integrimit europian të dy vendeve pati reagime të shumta në Shkup. Ftesën e Ramës, opozita maqedonase e vlerësoi si “përpjekje për shpëtimin e qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski” e si të “dëmshme për interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

VMRO DPMNE-ja reagoi edhe për diskutimet në takim për ndryshimin e Kushtetutës, si kusht që rrjedh nga marrëveshja me Sofjen për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Pendarovski u shpreh se “ka ikur koha kur proceset politike, ngjarjet apo takimet që ndodhin në Tiranë duhet t’i shikojmë si kërcënim për sigurinë tonë”.

Dekada më parë, Republika e atëhershme Socialiste e Shqipërisë ishte një kërcënim sigurie për ne. Ka kaluar koha kur proceset politike apo ngjarjet e takimet që ndodhin në Tiranë duhet t’i shohim si kërcënim sigurie. Të mos harrojmë, Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s dhe bashkë me ne ka nisur negociatat me BE-në. Shqipëria është mikja jonë e nuk kam fare dyshime për ndonjë qëllim të fshehtë të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Unë e di shumë mirë, po ashtu edhe ju. Nuk mendoj se aty po krijohet ndonjë skenar antimaqedonas.

Sa i përket komenteve se liderët shqiptarë u thirrën në Tiranë për t’u marrë vesh për ndryshimet kushtetuese, Pendarovski theksoi se “për këtë çështje nuk kishte nevojë të shkonin në takim, pasi të gjithë liderët politikë që ishin në Tiranë, edhe më parë kanë thënë se do të mbështesnin ndryshimin e Kushtetutës”.

Takimi i së martës u vlerësua pozitivisht nga kryeministri Dimitar Kovaçevski:

Çdo takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama është i mirëpritur.