Aktualitet

Protesta të invalidëve e pedagogëve në Tiranë, thirrje qeverisë t’iu plotësojë kërkesat!

Invalidë të punës protestuan para Ministrisë së Financave, siç theksuan jo për lëmoshë, por për të drejtat e tyre. Të ardhur në Tiranë nga i gjithë vendi, veçuan katër kërkesa kryesore. Ato kanë të bëjnë me indeksimin e pensioneve të invalidëve tani që çmimet janë rritur, si dhe rritjen e ndihmës së paaftësisë, indeksimin e saj e që ndihma e paaftësisë të kalojë në sigurimet shoqërore, për të shmangur abuzimet.

Por, protesta e invalidëve të punës nuk është e vetmja për sot. Tre ditë para nisjes së vitit të ri akademik, pedagogët i janë rikthyer protestave për rritjen e pagës, që sipas tyre “është ndër më të ulëtat në rajon”. Tubimin që zhvillohet para Universitetit të Arteve në kryeqytet e hapi një përfaqësues i Sindikatës, i cili u shpreh:

Çdo komb, çlirohet me përpjekjet e veta. Pra, edhe përpjekja jonë për dinjitet të mësuesit, si mësues i kombit sa vjen është bërë më e fortë dhe më e plotë. Këto ditë, sindikata e punonjësve të universiteteve në të gjithë Shqipërinë e ka qartësuar përballë të gjithë opinionit që hallin e ka qeveria, që jo vetëm ka akorduar minimumin e buxhetit për arsimin, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe e ka shkurtuar atë.

Fakt është se në sektorin e arsimit, qeveria ka bërë shkurtime. Shpenzimet për arsimin universitar pësuan shkurtime mbi 5.5%, 600 milion lekë të vjetra. Fondet për arsimin bazë u reduktuan në 756 milion lekë dhe për arsimin e mesëm 278 milion lekë të vjetra. Fakt është se ku jemi sot me Kartën e Studentit?!

Fakt është se jemi vendi i fundit në Europë për pagën e pedagogut, po jo më poshtë se edhe Kosova e Maqedonia e Veriut, por edhe më poshtë se Bosnje-Hercegovina e këto janë të dhëna që vijnë nga komuniteti europian. Kjo gjendje flet vetë se pse rinia ikën nga Shqipëria.

Protesta e sotme pason atë të 5 tetorit, ditë në të cilën kryeministri Rama deklaroi se për pedagogët do të ketë rritje prej 7% të pagës, por pjesa tjetër do të lihet në vendimmarrjen e universiteteve, të cilat janë autonome.