Sport

Provokojnë tifozët e Feyenoord; urinojnë te autobusi i Romës në Tiranë (Video)

Njihen historikisht raportet mes tifozëve të Romës dhe Fejnordit. Nuk lënë rast pa provokuar kur u vjen mundësia.

Janë të shumtë tifozët e Feyenoordit që kanë mbërritur në Tiranë, në mbështetje të skuadrës së tyre, që do të luajë nesër finalen e Conference League, përballë italianëve të Romës.

Ultrasit e të dy skuadrave kanë paralajmëruar përplasje me njëri-tjetrin gjatë qëndrimit në tiranë, teksa mbrëmjen e djeshme kanë qenë tifozët e Feyenoordit që kanë nisur betejën.

Dy prej tyre u afruan në hotelin ku do të vendoset klubi i Romës dhe përfituan nga rasti për të urinuar pranë autobusit të verdhekuqve, që mbërriti dy ditë më parë në Tiranë, për të shoqëruar skuadrën gjatë qëndrimit këtu.

Siç shihet dhe në pamjet e publikuara në kanalin e tifozëve në ‘Twitter’, ata shfaqen duke urinuar në autobusin e skuadrës romake, që ka mbërritur dje në vendin tonë, përmes portit të Durrësit.

Situata në Tiranë ka nisur të nxehet, me qindra tifozë, të dehur në erën e alkoolit, festojnë në pritje të sfidës.

Forca të shumta policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e ndeshjes, por menaxhimi i tifozëve duket se do mbetet sfidë më vete.