Bota

Pse Izraeli është kaq i vendosur që të nisë ofensivën në Rafah?

Associated Press

Izraeli është i vendosur që të nisë një ofensivë tokësore kundër Hamasit në Rafah, qytetin më jugor të Rripit të Gazës. Ky plan ka ngritur alarmin botëror për shkak se në Rafah janë duke u strehuar qindra mijëra civilë. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli nuk mund të arrijë qëllimin e tij të “fitores së plotë” kundër Hamasit, pa hyrë në Rafah.

Izraeli ka miratuar plane ushtarake për ofensivën e tij. Por, me 1.4 milion palestinezët e strehuar në qytet, aleatët e Izraelit, përfshirë SHBA-të, kanë kërkuar kujdes më të madh për civilët gjatë inkursionit të pritshëm.

Shumica e palestinezëve në Rafah janë zhvendosur aty për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës dhe po jetojnë në kampe me tenda që janë të stërmbushura, në vend-strehime që udhëhiqen nga Kombet e Bashkuara apo në ndërtesa të tjera.

Netanyahu po dërgon në Uashington një delegacion për t’i paraqitur administratës amerikane planet e tij.

Pse Rafahu është kaq i rëndësishëm?

Që kur Izraeli shpalli luftë në përgjigje të sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izrael më 7 tetor, Netanyahu tha se qëllimi kryesor është shkatërrimi i aftësive të grupit radikal. Izraeli u shpreh se Rafahu është bastioni i fundit i madh i Hamasit në Rripin e Gazës, pasi operacionet e tij në pjesë të tjera të enklavës kanë shkatërruar 18 nga 24 batalionet e grupit radikal, referuar ushtrisë. Por, edhe në veri të Gazës, që ishte objektivi i parë i ofensivës izraelite, Hamasi është rigrupuar në disa zona dhe ka vazhduar të kryejë sulme.

Izraeli vlerëson se Hamasi ka katër batalione në Rafah dhe duhet të dërgojë forca tokësore për t’i shkatërruar. Disa prej anëtarëve të lartë të grupit ekstremist po ashtu mund të jenë duke u fshehur në këtë qytet.

Pse po kundërshtohet kaq shumë plani i Izraelit?

Amerika i ka bërë thirrje Izraelit që të mos vazhdojë përpara me operacionin pa një plan “të besueshëm” për evakuimin e civilëve. Egjipti, një partner strategjik i Izraelit, ka thënë se çdo lëvizje për të shtyrë palestinezët në Egjipt do të kërcënonte marrëveshjen e paqes me Izraelin. Këtë marrëveshje palët e kanë arritur katër dekada më parë.

Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar këtë javë me Netanyahun, presidenti amerikan, Joe Biden, i tha udhëheqësit izraelit që të mos e kryejë operacionin në Rafah, siç tha këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan. Ai deklaroi se Amerika po kërkon “qasje alternative” që nuk do të përfshinte një pushtim tokësor.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili është në vizitën e gjashtë në rajon që kur nisi lufta, përsëriti këto shqetësime gjatë një interviste të dhënë dje për televizionin Al-Hadath në Arabinë Saudite.

Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë lidhur me atë që ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh tokësor, operacion ushtarak në Rafah. Nuk ka ndonjë mënyrë efektive për të zhvendosur 1.4 milion personat që gjenden në qytet në një vend të sigurt dhe ata që do të mbeteshin në qytet do të ishin në një rrezik të madh.

Izraeli duket se s’është afër dërgimit të trupave

Netanyahu ka njoftuar se ai po dërgon një delegacion në Uashington “për shkak të respektit” që ka për Biden-in. Por, dje në një deklaratë u shpreh se i tha Biden-it se Izraeli “nuk mund të kompletojë fitoren” pa hyrë në Rafah.

Pavarësisht bisedimeve të vështira, duket se Izraeli nuk është afër momentit të dërgimit të trupave në Rafah. Kjo mund të jetë e lidhur me përpjekjet që po vazhdojnë për arritjen e një armëpushimi të përkohshëm. Ndërmjetësit nga Katari kanë thënë se këto bisedime do të dëmtoheshin nga një pushtim në Rafah.

Po ashtu, në këtë drejtim ka edhe shqetësime logjistike. Ushtria izraelite planifikon t’i dërgojë civilët në “ishujt humanitarë” në Gazën qendrore, para ofensivës së planifikuar. Netanyahu deklaroi dje se planet për evakuim nuk janë miratuar ende.

Gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, grupi radikal vrau rreth 1.200 persona dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit në Gaza, janë vrarë rreth 32.000 vetë, shumica gra dhe fëmijë, siç ka thënë Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi./Evropa e Lirë