Aktualitet Rajoni

Rama: Do të heqim tarifat doganore me Kosovën!

Para mbledhjes së dy qeverive, kryeministri Edi Rama deklaroi vendimin për të hequr tarifat doganore me Kosovën. Nga dje, Rama ndodhet në Kosovë, ku sot zhvillohet mbledhja 8-të e përbashkët, në Prishtinë. Kreu i ekzekutivit theksoi se “nuk ka kuptim që tarifat doganore të hiqen me vendet e tjera të “Ballkanit të Hapur” e të mos hiqen me Kosovën”. Fillimisht u ndal në fshatin Xërxë, një sipërmarrje të njohur në rajon për prodhimin e miellit të grurit, me cilësi të lartë.

Që të mos mbetemi vetëm në atë pjesën e takimeve zyrtare e politike, menduam të bëjmë takim edhe me ata që janë motori që lëviz jetën ekonomike. Kisha dëgjuar shumë për këtë sipërmarrje prandaj e kam për nder që m’u dha mundësia ta vizitoj, edhe ndërkohë bashkë me ministren po flisnim për rritjen e bashkëpunimit e për shkrirjen komplet të të gjithë pengesave të kufirit. Kur vjen puna te produktet bujqësore, kjo është “A”.

Gjithashtu ne kemi bërë një plan e do ta vëmë në lëvizje që të heqim tarifat doganore me Kosovën. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale edhe me qeverinë e Kosovës,  po ne do ta bëjmë. Ata kanë kërkuar më shumë kohë për të analizuar, por ne do ta bëjmë, se nuk ka kuptim që ne t’i heqim me “Ballkanin e Hapur” dhe mos i heqim me Kosovën. Kështu që do t’i heqim tarifat për gjithë çfarë vjen nga Kosova, përjashto atë të skanimit, se asaj s’kemi çfarë i bëjmë. Ajo është e trashëguar e s’lëviz, por gjithë pjesën tjetër nuk do ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri.

Kryeministri shtoi se “anasjelltas do ta bëjë qeveria e Kosovës dhe ne duam ta bëjmë bilaterale”.

Por nëse qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi sepse nuk duam që ta kemi të hapur pa tarifa me të tjerët në Ballkanin e Hapur dhe të mos e kemi me Kosovën!