Aktualitet Rajoni

Rama në Shkup, mesazh Kurtit: Edhe hasmit i hapet dera kur të vjen në shtëpi!

Nga Shkupi ku nisi turin ballkanik dy-ditor, kryeministri Rama i bëri thirrje Albin Kurtit të reflektojë dhe t’i thotë po, takimit mes të dyve kur më vonë gjatë ditës, Rama të ndalet në Prishtinë.

Akoma kam shpresë se Albini nuk e ka harruar Kanunin, që kur hyn në shtëpi, edhe hasmit i hapet dera e duhet ta nxjerrësh kur ai të mbarojë fjalën.

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, shefi i qeverisë takoi homologun Kovaçevski, me të cilin dha një konferencë shtypi. Turi i Ramës i kushtohet Procesit të Berlinit, që në tetor zhvillon samitin në Tiranë.

Në Shkup, Rama theksoi se Ballkani i Hapur e përfundoi misionin e tij, por vuri në dukje se nuk ka “lajmërim vdekjeje” për nismën, së cilës krahas Shqipërisë, iu bashkuan dhe Serbia e Maqedonia e Veriut. Rama deklaroi se u krijua për shkak se u bllokua Procesi i Berlinit, por duke qenë se tani është i hapur, kërkoi që të gjithë të zhyten aty, për të kapërcyer në një fazë të re.

Me mendje e zemër, ne duhet të zhytemi në Procesin e Berlinit, në një proces plotësisht funksional, siç tregoi Ballkani i Hapur. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që ngritën Ballkanin e Hapur, por nga vetot. Shpresojmë që t’i japim shtysë të re, se nuk është thjesht proces si deri më sot, por shpresoj ta kthejmë në një proces të lidhur drejtpërdrejt me planin e financimeve. Na duhet Gjermania për ta jetuar bashkarisht.

Pra, ne jemi në një moment të një kapërcimi në një fazë tjetër të BE-së dhe për këtë, Procesi i Berlinit është kyç, urë, këmbët e së cilës duhen forcuar. Që të fokusohemi te kjo urë, pa u shqetësuar për erërat e korrentet, them se duhet të fokusoheni te Procesi i Berlinit. Nëse doni të nxjerr lajmërim vdekjeje, nuk e kam dhe s’kam për ta nxjerrë. Nëse doni të dini si duhet të vazhdojmë, sapo jua thashë. Jeta është e bukur sepse secili mund të këndojë këngën e vet.

Dua që Ballkanin e Hapur ta lë mënjanë. Nuk dua t’i jap askujt asnjë mundësi që të vijojë të flasë për paralelizma dhe alternativa. Kjo është shumë e qartë. Për mua, Ballkani i Hapur ka bërë shërbim të madh. Një mijë herë të kthehesha do e bëja prapë. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur, ka bërë gabim për veten.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se “Ballkani i Hapur dha rezultate të prekshme”.

Ballkani i Hapur si iniciativë e rajonit, nuk mund të jetë gabim. Ftesa është e hapur për të gjithë. Historia me Ballkanin e Hapur nuk ka përfunduar. Ballkani i Hapur dha shumë rezultatet të prekshme.