Aktualitet

Rama njoftoi Kuvendim Popullor mbi vendimet strategjike/Basha e akuzon për propagandë!

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot vendimin e Qeverisë që i jep jetë një nisme të re demokratike, duke hapur procesin gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë. Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, Rama deklaroi:

Me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, do të zhvillojmë një kuvendim popullor, ku duam mendimin tuaj mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë. Eshtë koha t’i lemë pas llogoret e sherrit politik që të hedhim hapa të mëdhenj përpara, duke u këshilluar së bashku për vendime me rëndësi politike, ekonomike e sociale.

Le të dëgjojmë njëri-tjetrin si njerëz të këtij vendi të bekuar, si shqiptarë e shqiptare që na ndajnë shumë gjëra, po na bashkon flamuri kuqezi dhe e ardhmja e fëmijëve tanë, pa dallim.

Temat e pyetësorit përfshijnë çështje të ekonomisë, gjendjes sociale, si dhe përpjekjes jetike për të thelluar arritjet dhe njëkohësisht adresuar plagët e padrejtësisë, në funksion të luftës për drejtësi. Duke bërë një paraqitje të përmbledhur të temave, Kryeministri u ndal te anëtarësimi i Shqipërisë në BE, i cili sipas tij, “sot është i lidhur direkt me një veto të vendosur mbi Maqedoninë e Veriut nga një shtet i tretë”.

Gjithmonë e më shumë ka një debat që nuk mund të jetë jashtë vemendjes së qeverisë. Ka njerëz që thonë se duhet të ndahet rruga nga Maqedonia e Veriut, që vendi ynë të vlerësohet direkt individualisht për meritat e tij. Ka të tjerë që mendojnë se ne mund të presim dhe duhet të presim në funksion të ruajtjes së këtij kohezioni brenda përbrenda rajonit dhe marrëdhënies që kemi me Maqedoninë e Veriut. Sot jemi në kushtet kur praktikisht kemi para, me hyrjen e vitit të ri, një 6-mujor me rëndësi të veçantë, por ne duam t’i drejtojmë shqiptarëve një pyetje për të formuluar një vendimmarrje strategjike. A duhet ne ta kërkojmë direkt dhe hapur ndarjen nga Maqedonia e Veriut në gjykimin e BE-së në rast se edhe 6-mujori i parë 2022 do të rezultojë njësoj si koha e deritanishme, dhe ne si Shqipëri do të mbetemi sërish peng i vendimmarrjes së Maqedonisë së Veriut?

Një tjetër pyetje do të ketë të bëjë me “Ballkanin e Hapur”.

Pavarësisht bindjeve të mia, ka njerëz që besojnë se nisma në funksion të një hapësire të integruar rajonale është gjëja e duhur, por ka të tjerë që thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Do i drejtohemi shqiptarëve për të marrë opinionin e e tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzon kryeministrin Rama për propagandë.

Pasi i ka varfëruar, përgjuar, shantazhuar për të masakruar zgjedhjet, doli me devizën e vjetër “ç’thotë partia bën populli, ç’do populli bën partia”, sepse propaganda është e vetmja gjë që di të ofrojë përballë furisë së skandaleve që e ekspozojnë si shkatërruesin e mirëqenies së shqiptarëve.