Rajoni

Reciprociteti me targat dhe letërnjoftimet, Serbia do të kërkojë zgjidhje në Bruksel!

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç deklaroi se Beogradi do të kërkojë zgjidhje në Bruksel, pas tensioneve të fundit në Veri, teksa shtoi se nuk do të lejojë askënd që të anulojë dokumentet serbe.

Sipas Petkoviç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti merr vendime të njëanshme dhe kjo tregon përmasat e militantizmit të tij.

“Nuk ka më lëshim të dokumenteve hyrëse-dalëse që Prishtina ka dashur t’ua imponojë qytetarëve të Serbisë që hyjnë në Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë jemi kthyer në një pozicion ku mund të diskutojmë të gjitha këto çështje në Bruksel”, u shpreh ai.

Petkoviç tha se populli serb në Kosovë dhe presidenti Aleksandër Vuçiç, duke reaguar ndaj lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës në lidhje me dokumentet personale dhe riregjistrimin e automjeteve, treguan se gjithçka mund të zgjidhet me marrëveshje dhe diskutim.

Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak në veri të Kosovës, prej ditës së djeshme janë të hapura për qytetarët dhe liria e lëvizjes është e plotë, pas heqjes së barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Qeveria e Kosovës tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, duke filluar më 1 shtator.