Partia Socialiste ka filluar punën për reformën zgjedhore duke ecur me parimin se për të kaluar ndryshimet voliten vetëm 84 vota dhe jo një konsensus më i gjerë.
Kjo ka bërë që komisioni për reformën të rindezë punën duke pasur si bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn si përfaqësues të PD-së zyrtare, dhe bashkë me të edhe numrat për të arritur kuorumin edhe pse grupi Basha është në minorancë numrash në Kuvend.
Një ditë pas letrës që dy bashkëkryetarët i nisën OSBE, Damian Gjiknuri ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kësaj zyre.
“Takova sot përfaqësuesit e zyrës së OSBE-së në Shqipëri me të cilët diskutuam mbi procesin e reformës zgjedhore, rifillimin e punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar me synim adresimin në ligjin elektoral të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
I falenderova për mbështetjen e deritanishme dhe për gatishmërinë për të vazhduar këtë angazhim edhe më tej, përmes ekspertizës më të mirë nga ODIHR, e cila do të ndihmojë komisionin për të arritur zgjidhjet e duhura teknike në funksion të adresimit të plotë të rekomandimeve”, thuhet në njoftimin zyrtare të përcjellë nga Gjiknuri.
Më vonë, në orën 14:00, përfaqësuesit e OSBE do të takojnë edhe Enkelejd Alibeajn.
Ndërkohë grupi parlamentar i drejtuar nga Gazment Bardhi prej kohësh ka pamundësuar punime normale në Kuvend me qëllim përfaqësimin si bashkëkryetar në komisionin e reformës. Lëvizjet e fundit Alibeaj-Gjiknuri të konfirmuara një ditë më parë edhe nga Lulzim Basha tregojnë se komisioni për reformën e ka filluar punën, pavarësisht rrëmujës në Kuvend nga e cila po përfitojnë vetëm Basha dhe Rama.