Rajoni

Refuzimi i vizitës së Vuçiç në Kosovë, Lajçak letër zyrtare Hotit

Pas refuzimit të Prishtinës për të mos lejuar vizitën e presidentit serb në Kosovë, Mirosllav Lajçak, i Dërguari Special i BE-së për Dialogun me Serbinë i dërgoi letër zyrtare Kryeministrit Avdullah Hoti në shenjë proteste.

“Siç përcaktohet në Marrëveshjen e Lirisë së Lëvizjes, individët e secilës palë janë në gjendje të udhëtojnë lirisht në territorin e tjetrit. Rregullat specifike zbatohen për personat që mbajnë funksione publike, siç përcaktohet në Marrëveshjet për Vizitat Zyrtare. Këto rregulla rezultuan shumë të dobishme dhe ato përbëjnë arritje në punën mes jush e Beogradit, e cila duhet të ruhet”, – thuhet në letrën e Lajçakut.

Lajçak në letër i ka kujtuar Hotit se vizitat bëjnë pjesë në angazhimet e dialogut që duhet të respektohen si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia. “Mosrespektimi i këtyre marrëveshjeve dërgon një sinjal shumë negativ për besueshmërinë e Kosovës si palë në procesin e Dialogut. Për më tepër, shkelje të tilla dëmtojnë përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis palëve dhe përshkallëzimin e tensioneve në terren”.  Lajçak thotë se mbështetja e Hotit është thelbësore për të siguruar që institucionet e Kosovës të vazhdojnë të respektojnë zotimet e tyre.