Bota Botë e Çuditshme

Restoranti në Nju Jork shndërrohet në një kështjellë akulli, kush ka guxim mund të shkojë!

Një restorant në veri të Nju Jorkut është shndërruat në një kështjellë akulli. Restoranti Hoak’s Lakeshore në Hamburg, Nju Jork, një periferi e Buffalo, u mbyll së fundmi për shkak të motit të keq. Bora dhe akulli mbuluan këtë restorant në brigjet verilindore të liqenit Erie. Megjithatë, pavarësisht të motit, restoranti ka hapur dyert për guximtarët. “Kështjella jonë e akullit u hap sot për vitin 2024”-shkruhet në postim të restorantit në X.

Ndërkaq, erëra të ftohta dhe të rrezikshme kanë vazhduar të mbizotërojnë në pjesë të Shteteve të Bashkuara, ku temperaturat kanë arritur deri në minus 30 gradë celsius. Rreth 110.000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike të hënën mbrëma, shumica prej të cilave në Oregon, shtet që po përballet me ndërprerje të rrymës që nga dita e shtunë. Kompania publike për furnizim me energji, Portland General Electric, ka paralajmëruar se kërcënimi nga shiu dhe i ftohti mund të shkaktojnë vonesa në rikthimin e furnizimeve të rregullta me energji elektrike.

Stuhi e madhe që goditi SHBA-në la gjithashtu pas një pamje të pazakontë. Bëhet fjalë për shkumën e detit që mbuloi pothuajse të gjithë plazhin Hampton, një vendpushim popullor bregdetar në Neë Hampshire. Stuhitë janë mjaft të zakonshme në bregun verilindor të SHBA-së, por banorët mbetën ende të befasuar nga kjo sasi e shkumës së detit. Pamjet e filmuara nga ajri shfaqin rrugët e mbuluara nga shkuma dhe veturat që mezi arrinin të kalonin nga kjo shkumë. Videot e këtyre skenave janë bërë virale në platformat e ndryshme të rrjeteve sociale.