Rajoni

Rezolutë për Serbinë, PE-ja kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet!

Me një rezolutë urgjente të miratuar sot, Parlamenti Europian dënon parregullsitë e raportuara gjatë zgjedhjeve të fundit në Serbi duke kërkuar hetim ndërkombëtar, si dhe bën ftesë që të kushtëzohet vazhdimi i procesit të negociatave të anëtarësimit me respektimin e standardeve demokratike të BE-së. Serbia zhvilloi zgjedhje parlamentare dhe lokale, më 17 dhjetor 2023.

Rezoluta mori një mbështetje të fuqishme gjatë votimit. Në favor votuan 461 deputetë nga 557 që ishin të pranishëm. Kundër dolën vetëm 53 ndërsa abstenuan 43.

Në tekstin e rezolutës, rezultat i bisedimeve të disa grupeve politike të PE-së, shprehet keqardhje për faktin se Serbia nuk ka siguruar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve e normave ndërkombëtare, si dhe për shkak të refuzimit të autoriteteve të Serbisë që të pranojnë se kanë ndodhur parregullsi në zgjedhje.

Bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale, me kujdes të posaçëm në zgjedhjet për asamblenë e Beogradit.

Eurodeputeti Andreas Schieder, i cili ka qenë edhe anëtar i misionit vëzhgues europian gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, tha se “i dërgohet mesazh i qartë presidentit Vuçiç e partisë në pushtet se duhet t’i respektojnë standardet demokratike ndërkombëtare e të marrin përgjegjësi për parregullsitë sistematike në procesin e zgjedhjeve”.

Parlamenti Europian i ka bërë thirrje Komisionit Europian që të shqyrtojë dërgimin e një misioni ekspertësh në Serbi, për të vlerësuar situatën dhe zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit. Të bëjë përpjekje për të lehtësuar një dialog shoqëror, i cili do të çonte deri te kthimi i besimit në institucione.

Parlamenti Europian dënon mungesën e pluralizmit politik gjatë procesit zgjedhor, favorizimin e partisë në pushtet nga ana e mediave gjatë fushatës, fushatat e shumta të dezinformimit, në të cilat “ishin përfshirë mediat pro-qeveritare në Serbi, por edhe media e organizata nga Rusia”.

Ndër parregullsitë më të shpeshta në zgjedhjet në Serbi të zhvilluara më 17 dhjetor të vitit 2023, Parlamenti Europian përmend votimin e shtetasve nga vendet e tjera, sidomos nga Bosnjë-Hercegovina në zgjedhjet lokale, sjelljen në mënyrë të organizuar të votuesve në vendvotime nga partia në pushtet, heqjen e votuesve nga regjistri në disa raste, joshjen e paligjshme të tyre, si dhe të tjera forma të shkeljeve të parimeve të zgjedhjeve të lira.

Në tekstin e rezolutës dënohet edhe përdorimi i tepruar i forcave policore në Serbi ndaj demonstruesve gjatë protestave kundër parregullsive në zgjedhje. Po ashtu, deputetët e Parlamentit Europian dënojnë sulmet verbale nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi ndaj vëzhguesve nga BE-ja, si dhe deklaratat se vende të BE-së u përfshinë në organizimin e protestave pas zgjedhjeve, pohime që nuk janë konfirmuar në asnjë rast.

Parlamenti Europian ka shprehur edhe keqardhje për atë që e quajti “mungesë e kritikave të zëshme nga Komisioni Europian” për një varg dyshimesh për mashtrime zgjedhore në Serbi dhe bën ftesë që Komisioni t’i adresojë pa vonesa këto çështje që çuan deri te dyshimet.