Aktualitet Politikë

Riparimi i rrugës së vjetër Fier-Vlorë, PD akuza ARRSH-së!

Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me riparimin e rrugës së vjetër Fier-Vlorë. Në një deklaratë për mediat, anëtari i kryesisë së selisë blu, Eno Bozdo akuzon Autoritetin Rrugor Shqiptar, ARRSH se ka shpenzuar 2 milion euro më shumë.

Evis Berberi ia ka dhënë tenderin e rehabilitimit të rrugës, jo ofertës më të mirë prej 4.5 milion euro, por të katërtës prej 6.5 milion. Dy milionë më shumë, në euro që nuk vijnë nga xhepi i tij, as i Ramës, por i taksapaguesve shqiptarë. Me dyshimin e fortë se nëse nuk dalin, një pjesë e tyre futen në xhepa zyrtarësh të korruptuar. Autoriteti i Rrugëve mund të hynte në librin “Guinness” me vendimet anti-ligjore, të papërgjegjshme dhe të kushtueshme.

Nga selia blu, Bozdo kishte edhe tre pyetje, për të cilat u shpreh se do t’i bënte çdokush:

Tre pyetje që do bënte çdo qytetar, dhe ne i përsërisim në emër të tyre, janë: Pse kalohet te e katërta në listën e ofertave dhe shmangen tri të parat? Pse zgjidhet një ofertë që kushton 2 milion euro më shumë se konkurueset? Pse nuk ka transparencë të vendimmarrjes?Partia Demokratike kërkon vëmendje qytetare dhe të organeve të drejtësisë, për shpenzime të tilla abuzive, dhe rrjedhimisht, korruptive. Alarmi bëhet edhe më i fortë, po të kujtosh borxhin publik të vendit, që po kap 100% – shin. Partia Demokratike falenderon median që investigon dhe publikon akte korruptive të tilla, dhe i bën thirrje organeve të drejtësisë të dëshmojnë se janë në krye të punëve, dhe pushtet i pavarur, jo një degë e thyer e qeverisë.