Bota

Rusët kërkojnë proces gjyqësor për ukrainasit që luftuan në Azovstal!

Shqetësimet sa vijnë e shtohen për fatin e ushtarëve ukrainas që tashmë janë në duart e forcave ruse, pas largimit nga fabrika e çelikut, Azovstal në qytetin e Mariupolit në Ukrainë. Deputeti rus, Leonid Slutsky, drejtues i Partisë Demokratike Liberale në Rusi, deklaroi sot se “fati i ushtarëve të kapur duhet të përcaktohet nga një gjykatë”.

Mendimi im nuk ka ndryshuar: nuk duhet të ketë shkëmbim të pjesëtarëve të Regjimentit të Azovit, i cili është i paligjshëm në Rusi.

Zyrtarë ukrainas dhe familjarë të ushtarëve, i bënë thirrje Moskës, t’i trajtojë ata si të burgosur të luftës, sipas ligjeve e rregullave në fuqi. Një ditë më parë, zv.kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshuk, bëri të ditur se “Kievi zyrtar do të luftojë për kthimin e secilit prej tyre”. Më 20 maj, Ministria ruse e Mbrojtjes doli me një deklaratë ku theksonte se “forcat e saj kontrollojnë plotësisht fabrikën e çelikut”, pas disa javësh luftimesh intensive në Mariupol dhe ku besohet se janë me mijëra të vrarë.

Tërheqjen nga Azovstali, Ukraina e ka përshkruar si “evakuim të autorizuar”, jo si dorëzim. Rusia njoftoi se “mban rreth 2 mijë e 500 ushtarë ukrainas”. Denis Pushilin, lider i grupit separatist të mbështetur nga rusët në rajonin ukrainas të Donjeckut u shpreh se beson që të burgosurit “do të përballen me proces gjyqësor”.

Pushtimin e Ukrainës, Kremlini e konsideron “përpjekje për të çrrënjosur nazistët dhe ekstremistët e tjerë” nga ky shtet fqinj. Por, për Kievin e Perëndimin, “ky është një motiv i rremë, për të justifikuar nisjen e luftës”, ndërsa luftimet vazhdojnë prej afro tre muajsh tashmë, pasi filluan më 24 shkurt.

Regjimenti i Azovit është një grup vullnetar i të djathtës ekstreme, pjesë e Gardës Kombëtare ukrainase. I njohur më parë si Batalioni i Azovit, ndjek një ideologji ultra-nacionaliste, të cilën autoritetet amerikane për sundimin e ligjit e kanë lidhur me ekstremizëm neo-nazist. Por, mbështetësit e grupit e shohin organizatën si patriotike e pjesë të rëndësishme për mbrojtjen e Ukrainës.