Bota

Rusia ndryshon taktikë, përdor “bomba të mençura” në Ukrainë!

Rusia mund të ketë përdorur një lloj të ri bombash gjatë sulmeve ajrore në qytetin verilindor ukrainas të Harkivit, ku një ditë më parë u vra të paktën një person, siç raportuan zyrtarët ukrainas. Po ashtu, ata thanë se të paktën katër fëmijë, përfshirë një foshnje tremuajshe, ishin në mesin e 19 të plagosurve në Harkiv në sulmet e fundit të kryera në pushtimin rus të Ukrainës e që vijon prej muajit shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin duke e cilësuar si “terror rus” dhe Volodymyr Tymoshko, kreu i policisë rajonale në Harkiv, tha se “Moska mund të ketë përdorur një lloj të ri të “bombave të mençura”, që ishin të llojit UMPB D-30”.

“Bombat e mençura” janë bomba që i drejtohen vetë objektivit pasi piloti zgjedh shënjestrën para se t’i lëshojë ato, duke i mundësuar drejtuesit të avionit që të largohet nga zona e shënjestruar.

Edhe guvernatori rajonal, Oleh Synehubov, sugjeroi se ushtria ruse mund të ketë përdorur një lloj të ri bombash duke theksuar se “duket rusët vendosën të testonin bombat e tyre të modifikuara ndaj banorëve dhe gjithashtu shtëpive”.

Rusia ende nuk ka komentuar lidhur me këto deklarata. Moska mohon se shënjestron civilët edhe pse gjatë luftës në Ukrainë janë vrarë mijëra persona, u zhvendosën miliona të tjerë, si dhe u shkatërruan qytete e vendbanime.

Në javët e fundit, rusët kanë intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës duke shënjestruar infrastrukturën kyçe, përfshirë stacionet elektrike. Kjo në shenjë hakmarrjeje për bombardimet në rajonet kufitare ruse.

Dje gjatë një konference online, kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba bëri thirrje për dërgesa urgjente të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Sulmet aktuale ruse janë intensive dhe po përdoren raketa balistike që mund të arrijnë objektiva me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, duke u dhënë pak kohë njerëzve që të strehohen e duke shkaktuar dëm të madh. Sistemet Patriot dhe të ngjashme janë vendimtare. Ato janë të prodhuara të mbrojnë jetë, e jo të marrin jetë.

Më herët gjatë javës, gjatë një interviste për Politico-n, Kuleba tha se Ukraina ka nevojë të madhe për këto raketa tokë-ajër për t’u mbrojtur nga sulmet e pareshtura ruse, teksa pushtimi i Ukrainës i nisur nga Rusia tashmë ka hyrë në vitin e tretë.