Aktualitet Rajoni

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ja reagimet e liderëve shqiptarë!

“Uroj që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të zgjidhin problemin e tyre dhe të hapen negociatat me Shkupin e Tiranës”. Ky ishte mesazhi kryesores i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nga Sllovenia në samitin që Bashkimi Evropian po zhvillon me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Von Der Leyen përsëriti mesazhin se BE është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor, duhet të bëjë më shumë për integrimin.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në samitin e BE-së në Bërdo, tha se e ka humbur besimin se Bullgaria do kapërcejë ngërçin me Maqedoninë e Veriut, që po mban peng edhe Shqipërinë në integrimin në BE. Teksa e konsideron fjalën ‘zgjerim’ si jehonë të së kaluarës, Rama shprehet se për shqiptarët është e dhimbshme që BE ende nuk mund të mbajë premtime e saj.

Ndërkaq Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë se mesazhet e sotme në samitin BE-Ballkani Perëndimor janë inkurajuese. Meta thekson se është mirënjohës për mbështetjen politike dhe ndihmën e gjithanshme që BE vazhdon që t’i japë Shqipërisë dhe gjithë Rajonit. Në fjalën e tij presidenti nënvizon se Plani Ekonomik i Investimeve duhen shfrytëzuar maksimalisht për të rimëkëmbur ekonominë.

Në kuadër të samitit në Brdo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh mbi rëndësinë që ka ky samit për Kosovën. Shpresoj që Bashkimi Evropian t’i mbetet besnik esencës së vet që është zgjerimi, tha Kurti. Ai u shpreh se kam bindjen e fuqishme se “e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe e drejtë është njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, ku Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën.