Aktualitet

Seks kundrejt pagesës në një qendër masazhesh, blutë e Tiranës në veprim pas denoncimit në “Fiks Fare”!

“Fiks Fare” tregoi si qendrat e masazheve kthehen në fole prostitucioni, në Tiranë u ndalua një 30-vjeçare. Në kërkim pronari. Për të disatën herë, emisioni i njohur investigativ në Top Channel ka denoncuar këto pika në të cilat vajza të kamufluara si masazhatore, ofrojnë seks kundrejt pagesës.

Vëzhgimi i radhës u shtri në pesë qendra masazhi që nga Komuna e Parisit në Astir e kudo në kryeqytet. Shërbimi që ofronin këto qendra ishte po i njëjti, seks kundrejt parave.

Sot sipas njoftimit të policisë është bërë i mundur ndalimi i shtetases E.O 30 vjeç, e cila është administratore në një prej këtyre qendrave të masazheve. Gjithashtu, në kërkim u shpall një 36-vjeçar me iniciale O.RR, i cili rezulton të jetë pronari i qendrës së masazheve.

Sipas policisë, në lidhje me rastet e tjera të transmetuara, janë kryer veprimet procedurale për subjektet e përmendura, konkretisht:

-Më 10 janar janë arrestuar 2 punonjëse të një qendre masazhesh në rrugën “Teodor Keko”;

-Më 27 mars janë arrestuar 6 shtetas, administratori, 1 klient dhe 4 punonjëse, në një qendër masazhesh në rrugën “Teodor Keko”;

-Më datë 19 korrik është arrestuar 1 punonjëse e qendrës së masazheve dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 3 shtetase të tjera. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë qendër masazhesh, u bë ndalimi i shtetases E. O. dhe shpallja në kërkim e shtetasit O. Rr.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.