Aktualitet

Shirat përmirësojnë situatën energjetike, KESH-i shet 52 400 megavat/orë!

Shirat e shumtë të ditëve të fundit kanë përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në liqenet e HEC-eve, duke i dhënë mundësi Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH që të rrisë shitjet e energjisë. Në javën që po lëmë pas, KESH-i mori pjesë në tre tendera ndërkombëtarë për shitjen e energjisë elektike.

Së pari është realizuar tenderi për periudhën 6 dhe 7 nëntor, ku KESH ka shitur 7 mijë megavat/orë me një çmim që varion nga 103.02 euro deri në 151.57 euro për megavat/orë.

Dy ditë më vonë, KESH-i doli sërish në tregjet ndërkombëtare duke shitur një tjetër sasi të konsiderueshme energjie prej 31 mijë megavat/orë. Çmimet e shitjes kanë lëvizur nga 94 euro deri në 129 euro për megavat/orë.

Më 9 nëntor, pra tre ditë më parë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH iu drejtua sërish tregjeve ndërkombëtare duke nxjerrë për shitje 14 mijë e 400 megavat/orë energji me çmim që varion nga 94.37 euro për megavat/orë.

Ndërkaq, shirat do të vazhdojnë. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, si pasojë e masave ajrore të lagështa, me origjinë perëndimore. Deri në orët e pasdites, moti parashikohet me alternime vranësirash deri të dendura e kthjellime. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme, me intensitet të ulët e lokalisht me shtrëngata afatshkurtra.

Në orët e mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme, përgjatë Ultësirës Perëndimore, parashikohen reshje në një periudhë të shkurtër kohore me intensitet mesatar e të lartë, në formën e rrebesheve dhe stuhive të forta.

Këto reshje do të shoqërohen me shkarkesa të forta elektrike e breshër, si dhe do të jenë problematike në një periudhë të shkurtër kohore. Në Alpe dhe në relievet e larta malore në verilindje, priten reshje të dobëta dëbore. Mjegull/mjegullinë në zonat luginore, në orët e para të mëngjesit dhe ka shikim të reduktuar për shkak të reshjeve të shiut.

Era do të fryjë me drejtim juglindje-veriperëndim e me shpejtësi mesatare 1-7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e në lugina ka erë relativisht intensive dhe me shpejtësi 9-14 m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

Shkodër
11/19
Diell re shi

Kukës
6/11
Diell re shi

Lezhë
12/19
Diell re shi

Dibër
8/13
Diell re shi

Durrës
12/21
Diell re shi

Tiranë
13/22
Diell re shi

Elbasan
11/20
Diell re shi

Berat
11/22
Diell re shi

Vlorë
14/19
Diell re shi

Korçë
6/13
Diell re shi

Gjirokastër
11/15
Diell re shi

Sarandë
11/16
Diell re shi