Aktualitet

Shiu dhe bora vështirësojnë qarkullimin e mjeteve në disa akse/ARRSH apelon për kujdes!

Moti i keq shoqëruar me reshje shiu dhe bore ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse, por më problematike situata paraqitet në veri dhe juglindje të vendit. Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se kontraktorët me mjete e punëtorë në terren punuan për të mbajtur qarkullimin në normalitet.

Tashmë kanë nisur reshjet e borës në Dardhë, në Llogora, në Krujë-Sarisalltik, në Urën e Zapodit, Shishtavec në lartësi mbi 700 m, ku është punuar me mjete borëpastruese dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

Në aksin Bogë-Theth në zonën e tuneleve vazhdon rënia e orteqeve duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe pastrimin e rrugës.

ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në zonat malore, të ulin shpejtësinë, dhe respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot vendi do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa me origjinë jugperëndimore.

Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura, si dhe alternime të herëpashershme e afatshkurtra me diell.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpas’hershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët e kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave në pjesën më të madhe të territorit.

Në orët e vona të mbrëmjes, në zonën e jugperëndimit dhe pjesërisht në qendër, reshjet në periudha afatshkurtra do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.

Reshjet e dëborës bëhen të herëpas’hershme me intensitet të ulët në relievet kodrinore-malore në lindje të territorit dhe lartësitë mbi 300-500 metër.

Ka mjegull/mjegullinë për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës. Era do të fryjë me drejtim  juglindje-jugperëndim më pas juglindje-verilindje, me shpejtësi nga 3-10m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina era do të jetë tepër intensive me fortësinë e tufanit dhe shpejtësi që arrijnë deri në 18-25 m/sek kryesisht prej orëve të pasdites. Valëzimi në dete parashikohet fillimisht i forcës 1-3 ballë, më pas 4-7 ballë.