Aktualitet

Shkarkime nga Vau i Dejës në Shkodër, prefektja Angoni: Situatë e menaxhueshme!

Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni sot ishte në zonën e Obotit ku inspektoi nga afër situatën e krijuar nga moti i keq, ndërsa në Shkodër janë mbi një mijë hektarë tokë e përmbytur. Në një prononcim për mediat, Angoni tha se “situata është e menaxhueshme dhe të gjitha shtabet e emergjencës janë në gatishmëri të plotë”.

Jemi në një situatë të shumë të menaxhueshme. Në këto momente që flasim kemi vetëm 500 m3 nga HEC-i i Vaut Dejës që derdhet dhe kjo është situatë normale pasi janë 5 turbina në punë.

Kemi rritje të Bunës e të liqenit të Shkodrës që ka impaktuar dhe këtu ku ndodhemi sot. Jemi në pikën kyçe, duke parë dhe impaktin që ka si pikë dhe them se jemi në menaxhim. Sapo jemi lajmëruar që drejt Obotit është nisur dhe një kamion me forcat e ushtrisë për të menaxhuar këtë rrugë kalimi e cila ka vështirësi të kalohet me mjete normale.

Gjithashtu Angoni theksoi se nga informacionet e marra nga Policia dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar ka disa vështirësi në disa akse rrugore në rajonin verior kur përveç reshjeve të shiut ato të dëborës kanë krijuar disa problematika.

Situata paraqitet e vështirë në rajonin verior. Rrugët janë të zhbllokuara, lëvizet me vështirësi nga Tamara në Vermosh, edhe nga Boga deri në Qafë-Thore. Kemi rënie ortekësh përtej tunelesh dhe aksi Qafë Thore-Bogë është i bllokuar për momentin. Të gjitha rrugët e tjera janë të aksesueshme. Përveç rrugëve nga Tamara-Vermosh që këshillohet që lëvizja të bëhet me zinxhirë. Po merren masat nga të gjithë firmat kontrakore. Shtabet e emergjencave janë në gatishmëri të plotë.

Për sot, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga masa ajrore të paqëndrueshme e të lagështa me origjinë jugperëndimore. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët e kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave në pjesën më të madhe të territorit.